Aktualitet dhe Lajme

E ardhmja e Partisë Demokratike ende e mjegullt, por me siguri nuk quhet Sali Berisha!

Share

Nga Erl Kodra
Pas vendimit të DASH, në Partinë Demokratike filloi përçarja nga Sali Berisha, i cili në fillim tha se nuk do të përziente partinë në betejën e tij me SHBA, por shpejt harroi dhe filloi aksionin për të marrë peng të ardhmen e opozitës shqiptare. Kjo është një histori që të gjithë e dimë si ka rrjedhur përgjatë dy viteve, mjafton të shikojmë hartën mavi të Shqipërisë nga Tropoja më Konispol.

Përrallat e dala boje për PD më të fortë dhe më të bashkuar tashmë nuk impresionojnë askënd. Shqiptarët me shumicë e kuptuan lojën e ulët që po luhet pas kurrizit të tyre, dhe se rruga e nisur është trajektorja e sigurtë drejt katastrofës.

Më e keqja, nëse vazhdojmë me këtë rrugë, 14 Maji do të duket lule. “Fitorja” e rradhës e Rithemelimit mund të katandiset në 15-20 deputetë. Me sa duket edhe kaq mjatojnë për Sali Berishën, me kusht që ai të përfaqësojë “opozitën” e këtij vendi.

Askush nuk e di pse Gazmend Bardhi dhe një grup deputetësh të PD-së kërkojnë të shkatërrojnë përfundimisht atë që ka mbetur nga Partia Demokratike, por asgjë nga ato që deklarohen nuk ka lidhje me arsyen e shëndoshë ose ndershmërinë.

Ata thonë se duan ta bashkojnë PD-në ashtu në përgjithësi, domethënë, ta zvogëlojnë akoma më shumë, ta shuajnë fare. Ta kthejnë edhe njëherë tek Sali Berisha, Tritan Shehu, Famur Noka dhe Nard Ndoka?! Domethënë, e djathta të shuhet përfundimisht, duke u bërë ushtria private e Sali Berishës?
Pse, jeta jonë duhet të jetë e lidhur vetëm me Sali Berishën?!

A nuk e kishim të lidhur për 32 vite me atë njeri, që i dhamë ëndrrat tona, rininë tonë, jetën tonë?? Dhe cili ishte rezultati?! Një Shqipëri bosh, me shumicën e qytetarëve jashtë vendit.

Një Shqipëri në depresion, e paaftë të ngrihet kundër Edi Ramës, hajdutit më të madh që ka njohur ky vend që prej 100 vitesh.
Boll më me broçkulla mashtruese gjoja për bashkim – sepse bashkimi me Sali Berishën është vdekje e opozitës shqiptare, është vdekje e të djathtës shqiptare, është tradhëti ndaj interesit më të mirë të qytetarëve.
Partia Demokratike nuk është Sali Berisha, as Gazmend Bardhi, as Lulzim Basha.

Ajo është vokacioni politik i qytetarëve të këtij vendi, ndaj ata kanë të drejtën për të zgjedhur të ardhmen e tyre.
Dhe e ardhmja Partisë Demokratike me siguri nuk është Sali Berisha.


Huazuar nga Start News

Back to top button