Do të takohet me Trump, kryeministri i Kanadasë: Nuk do të bëhemi kurrë shtet i SHBA

Kryeministri i ri kanadez Mark Carney konfirmoi se do të udhëtojë për në Uashington të martën e ardhshme për takimin e tij të parë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump. Në krye të agjendës së tij janë tarifat tregtare dhe natyra e përgjithshme e marrëdhënieve dypalëshe.
“Qëllimi im ka qenë gjithmonë t’i ngre këto çështje drejtpërdrejt”, tha Carney, duke theksuar se ai kërkon të diskutojë për çështjen urgjente të tarifave, ashtu si edhe për drejtimin afatgjatë të marrëdhënieve Kanada-SHBA.
Kur një gazetar e pyeti nëse Presidenti Trump nënkuptoi, gjatë telefonatës së tyre të fundit, se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara (një koment që Trump e ka bërë vazhdimisht publikisht në muajt e fundit) Carney u përgjigj kategorikisht: “Jo, ai nuk e tha këtë“.
Kur u pyet nëse mendonte se administrata Trump po tregonte respekt ndaj Kanadasë, Carney tha: “Ne gjithmonë duhet të bëjmë dallimin midis dëshirës dhe realitetit“. “Mundësia që Kanadaja të bëhet shtet i Shteteve të Bashkuara nuk do të ndodhë kurrë”, shtoi ai.
Carney pranoi se takimi i tij me Trump nuk do të jetë i lehtë. “Nuk pretendoj se bisedimet do të jenë të lehta. Do të luftoj për marrëveshjen më të mirë të mundshme për Kanadanë”, tha ai.
Duke folur më vonë në frëngjisht, ai tha se diskutimet rreth tarifave do të ishin të ndërlikuara dhe se nuk kishte ndërmend të negocionte publikisht. Kur u pyet nëse pret negociata me mirëbesim në Uashington, duke pasur parasysh deklaratat e përsëritura të Trumpit në lidhje me “shtetin e 51-të”, Carney shmangu parashikimet, duke vënë thjesht në dukje se nga takimi nuk duhet të pritet “tym i bardhë“.
Në të njëjtën kohë, kryeministri kanadez premtoi të fillojë “transformimin më të madh të ekonomisë kanadeze që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, në intervistën e parë që dha pas fitores së tij në zgjedhjet parlamentare të së hënës së kaluar.