Dinamika e mbytjes së Almës me tre fëmijët, fëmijët mund të kenë qenë nën efektin e qetësuesve
E rëndësishme është që të kryhen edhe ekspertimet toksikologjike pasi mendohet se fëmijët mund të kenë qenë nën efektin e qetësuesve.
Të paktën, kjo është një tjetër pistë që ngrenë ekspertët mbi rrethanat reale se si fëmijët mund të kenë përfunduar në ujërat e Bunës. Është e vështirë të mendohet se një fëmijë hidhet me vetëdije.
‘Analizat toksikologjike përgjithësisht përcaktojnë faktin nëse viktimat kanë përdorur substanca të ndryshme qoftë qetësuese qoftë stimuluese dhe këto merren nëpërmjet mostrave të gjakut, pjesëve të stomakut nga autopsia e kryer nga ana e mjekut ligjor për të parë shkakun dhe detaje në trupin e viktimave për të përcaktuar përfundimisht se nën efektin e ndonjë ilaçi qetësuesi kanë qenë apo jo viktima dhe a kanë patur dhunë fizike’ u shpreh ish-prokurori, Eugen Beçi.
Pas gjetjes së trupit të vajzës së parë, menjëherë nisën operacionet e kërkimit ditë e natë. Deri në atë moment, askush nuk kishte dyshuar për mbytjen në lumë, pavarësisht denoncimit të kryefamiljarit për zhdukjen e Almës dhe fëmijëve.
Efektivët e FNSH Shkodër dhe RENEA i përqendruan kërkimet në ujrat e Bunës. Një operacion mjaft i vështirë për shkak të rrymave të forta që ka ky lumë.
‘Nga darka filluan të angazhohen peshkatarët. Mëngjesin e të nesërmes kërkuan ndihmë nga emergjencat civile, ushtria e gjithçka. Pse u vonuan nuk ishte e justifikuar vonesa se mund të mos gjendeshin më viktimat’ u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.
Grupi i Inside Story ka qenë pjesë e kërkimeve intensive duke dokumentuar edhe rrezikun që u kanosej polumbarëve. Ata, ishin në luftë me kohën. Zona e zhdukjes së trupave është pranë grykëderdhjes dhe nëse përfundonin në det, ndoshta nuk mund të gjendeshin kurrë.
Shumë afër vendit që mendohet se kanë qëndruar para se të përpiheshin nga ujërat e ftohtë të Bunës u gjet trupi i njërës prej vajzave. Kanë kaluar më shumë se 72 orë kërkime nga polumbarët e RENEA-s, peshkatarët e zonës, ushtria e policia.
Të gjithë ishim në luftë me kohën dhe me ujerat e rrëmbyeshëm të Bunës. Frika që i druheshim të gjithë ishte se ndoshta nuk do të lokalizonin dot trupat e tjerë.
Por të martën e 7 Majit polumbarët do të sinjalizonin një lajm të mirë në këtë tragjedi të madhe. Në një distancë më pak se 3 km nga vendi ku mendohet se fëmijët dhe nëna kanë rënë në ujë, u gjet edhe trupi i Arditit të vogël. Me vetëm pak orë diferencë po atë ditë do të gjendej edhe trupi i nënës së tyre, Alma Arrazit. Kjo e fundit u gjet shumë larg, rreth 35 kilometra nga ura e Bunës.
Huazuar nga Javanews.al