fbpx
Aktualitet dhe Lajme

Detaje/ Burimi i 500 mijë eurove në tubat e aspirimit ende mister, vjedhja parave në banesën e Alda Klosit nga pastruesja

Share

Edhe pse ende nuk është bërë e mundur të gjendet origjina e mbi 400 mijë eurove që u gjetën në shtëpinë e Rozeta Dobit, gjykata dje dha vendimin për tre protagonistët e historisë së vjedhjes së dy viteve më parë.

Prokuroria hetoi për shumë kohë, por se kujt i përkiste shuma marramendëse që u gjetën në tubin e aspirimit nuk është bërë publike, ndonëse Prokuroria e Tiranës vijon të hetojë pasurinë e ish-zyrtares së lartë Alda Klosit, që denoncoi sanitaren e vet për vjedhjen e 120 mijë eurove në shtëpinë e saj.

Dje Prokuroria e Tiranës dhe pretencën për Alda Klosin, sanitaren dhe të birin e kësaj të fundit dhe po dje Gjykata e Tiranës u shpreh me vendim për dënimin e tyre.

Të tre kishin kërkuar gjykim të shkurtuar më herët ndërkohë që të tre kanë kërkuar lirim, duke dhënë shkaqe dhe arsye të ndryshme.

Kështu Gjykata e Tiranës, deklaroi fajtore për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë Alda Klosin, ish-shefen e kabinetit të ish-ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ametaj, duke e dënuar atë me 2.6 vjet burg.

Ndërkohë, sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi, u shpallën fajtorë për ‘vjedhje me pasoja të rënda” në bashkëpunim dhe u dënuan konkretisht me 7 dhe 5 vite burg.

Për të tre të akuzuarit aplikohet gjykimi i shkurtuar, duke përfituar uljen e 1/3- ës së dënimit dhe përfundimisht Alda Klosi, do të vuajë 20 muaj burg, Rozeta Dobi 4.8 vjet, ndërsa djalit të Rozetës i mbetën 3.4 vjet!

500 MIJË EUROT NË TUBIN E ASPIRIMIT

Ngjarja për të cilën u arrestuan nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi, e ka zanafillën në dhjetor 2022 kur ish-zyrtarja e lartë, Alda Klosi kallëzoi në polici për vjedhjen e qindra mijëra eurove në banesë në rrugën e Kosovarëve në Tiranë.

Në janar 2023, policia arrestoi Rozeta Dobin dhe Havier Dobin, nënë e bir, nën akuzën e vjedhjes pasi në shtëpinë e tyre u gjet 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat i ishin fshehur në tubin e aspirimit të banesës së tyre.

Ndërsa Havierit iu sekuestruan dy makina. Vetë Alda Klosi, kishte bërë denoncimin për vjedhjen e 120 mijë eurove, 30 mijë dollarë dhe bizhuterive.

Pas arrestimit pastruesja ‘e penduar’ e drejtësisë tha se 400 mijë eurot i mori në shtëpinë e Alda Klosit. Një muaj më pas, në shkurt 2023 u krye arrestimi i ish-zyrtares, e cila vijoi të mohonte se shuma e parave që u gjet në tubin e aspirimit, nuk i përkisnin asaj edhe pse Rozeta Dobi tregoi se paratë ishin marrë aty!

KLOSI KËRKON PAFAJËSI

Në seancën e djeshme gjyqësore që u mbajt në Gjykatën e Tiranës, Alda Klosi, nuk ishte e pranishme në seancë, por u mbrojt nga avokati, i cili kërkoi pafajësi dhe lirimin e klientes së tij, pasi si kryefamiljare duhej të kujdesej për një vajze dhe një djalë të mitur.

Gjithashtu, përmendi dhe probleme shëndetësore. Avokati kërkoi që dënimi të jetë i njëjtë me kohën e qëndrimit në paraburgim, në të cilën ka qëndruar prej ditës së arrestit.

Nga ana tjetër, akuza ka theksuar se në analizën financiare për Klosin, shuma e vjedhur nuk rezulton e provueshme nga burime të ligjshme dhe paralelisht ish-zyrtarja po hetohet edhe për pastrim parash.

Prokuroria ka kërkuar pak javë më parë, pushimin e çështjes për akuzën e pastrimit të parave. Por gjykata nuk e ka pranuar, duke kthyer sërish dosjen për plotësim hetimesh dhe duke i lënë prokurorisë kohë 3 muaj të tjerë për kryerjen e hetimeve.

SANITARJA PARA GJYKATËS

Në seancën e djeshme, ishte Prokuroria që kërkoi 6 vjet burg për sanitaren Rozeta Dobi, 2.6 vjet burg për ish-zyrtaren Alda Klosin, kurse për Havierin pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit në shërbim prove.

Ish-zyrtarja, i ka qëndruar alibisë se shumën prej 120 mijë euro e 30 mijë dollarë ja vodhi Rozeta Dobi, të cilën e kishte punësuar prej pesë vitesh.

Por sanitarja ka insistuar se jo vetëm që këtë shumë ja kishte besuar shefja Klosi për t’i ruajtur, por edhe vlerën prej 400 mijë euro të gjetura në aspiratorin e kuzhinës i përkasin Alda Klosit.

Ndërkohë, prokuroria thotë se pretendimet e Rozeta Dobit, që paratë i janë dhënë nga Alda Klosi për t‘i mbajtur bien poshtë, për shkak të veprimeve dhe sjelljeve të saj në ditën e ngjarjes.

Vetë e pandehura Rozeta Dobi, shprehu pendesë për atë që ka ndodhur dhe kërkoi mëshirë dhe fajësoi Klosin për lekët e gjetura.

“Kërkoj mëshirë, kërkoj falje. Shumën e parave mi dha Alda Klosi për t‘i mbajtur disa kohë në shtëpinë time më pas t‘ia ktheja. Kam punuar gjithë jetën me punë të ndershme jo të bëj vjedhje. Klosi më tha mbaj lekët, se donte të fajësonte bashkëshortin për vjedhje”.

MBROJTJA E DOBIT

Edhe avokati mbrojtës i Dobit, kërkoi që të pezullohet dënimi me burg, pasi gruaja ka djalin për t’u kujdesur, pasi i ka vdekur bashkëshorti.

“Ne jemi treguar bashkëpunues dhe jemi arsyeja pse u zbulua e gjithë ngjarja. Të merret parasysh. Ata kanë edhe një fatkeqësia. Ka ndërruar jetë bashkëshorti i Rozeta Dobit dhe ajo duhet të kujdeset për djalin. Kërkojmë dënimin në minimum dhe pezullim të dënimit me burg.

Ajo do të jetë e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë. Ndihet e penduar për atë që ka bërë. Ne kërkojmë që çdo pasuri e deklaruar para datës së vjedhur ti kthehen Rozeta Dobit”, tha avokati.

Alda Klosi, ka mbuluar funksione të larta në administratë, si ish-drejtoreshë e koncesioneve në ministrinë e Financave disa vite më parë dhe deri në korrik të 2022, ka qenë shefe e kabinetit të ishzëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, për të kaluar më pas në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button