Aktualitet dhe Lajme

Cilat janë markat më të kushtueshme në botë?

Share

Amazon është kurorëzuar marka më e madhe në botë për vitin 2023, me vlerë 299.28 miliardë $ (273.49 miliardë €) pavarësisht rënies prej 51 miliardë $ në vitin e fundit. Në një studim të publikuar të martën nga Instituti i analizës financiare TradingPedia, gjiganti amerikan i e-commerce është ngjitur në renditje, duke lënë pas Apple, që vitin e kaluar pati humbur 16% të vlerës së saj, duke zbritur në 297,51 miliardë $. Google renditet i treti, duke rritur vlerën e tij me thuajse 18 miliardë $ krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 231,38 miliardë $.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi më i përfaqësuar në 20 vendet e para të klasifikimit, duke përbërë gjysmën e kompanive në klasifikim, për një vlerë të përbashkët prej rreth 1.5 trilionë dollarë.

Kompania më e madhe joamerikane është shoqëria teknologjike koreanojugore Samsung, në vendin e gjashtë, me 99,66 miliardë $. Europa përfaqësohet me vetëm dy kompani në top 20, të dyja kompanitë në Gjermani: Deutsche Telekom, me vlerë 62,93 miliardë $, në vendin e 11, ndërsa kompania e makinave të luksit, Mercedez-Benz, në vendin e 16°, me vlerë 58,8 miliardë $. Pavarësisht numrit të kufizuar në top 20, vendet dhe kompanitë europiane janë mjaft të pranishme në studimin më të gjerë të TradingPedia. Kompania zbuloi se vetëm 30 nga 195 vendet kanë marka në renditjen globale top 500 dhe thuajse gjysma e tyre (14) janë europiane.

Advertisements

NJË NUMËR I VOGËL VENDESH KANË MONOPOLIN E MARKAVE TË MËDHA

Sipas TradingPedia, pak vende duket se janë në gjendje të krijojnë marka të mëdha në çfarëdo vëllimi. Faqja zbuloi se janë vetëm 20 vende me më shumë se tre marka në top 500 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Koreja e Jugut, Kina, Gjermania, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, Arabia Saudite, India, Franca, Kanadaja, Italia, Spanja, Suedia, Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Australia, Zvicra, Singapori, Brazili, dhe Holanda.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina janë lider në botë, me përkatësisht 202 dhe 79 të 500 markave të para. Nëse merret në konsideratë top 100, më shumë se gjysma (53) janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 22 nga Kina. Gjermania ka 7 marka në top 100, ndjekur nga Japonia (6), Koreja e Jugut (4) dhe Mbretëria e Bashkuar (3).

HARROJINI MARKAT, CILËT JANË SEKTORËT MË TË RËNDËSISHËM?

Sipas TradingPedia, nëse merren në konsideratë industritë, sektori bankar dominon për numrin e markave të pranishme në çdo sektor – rreth 14,2% e të gjithë markave të pranishme në top 500 përbëhet nga shoqëri të shërbimeve bankare dhe financiare, ndërsa 10% përfaqësohet nga shoqëri të shitjes me pakicë. Megjithatë nëse merret në konsideratë vlera e përgjithshme kryesojnë teknologjia dhe shitjet me pakicë, ku markat teknologjike përfaqësojnë rreth 13,4% të vlerës totale të 500 kompanive të para, kurse kompanitë e shitjes me pakicë, 13,2%.
Jo të gjithë vendet kanë aftësinë të lindin një markë të rëndësishme dhe ekonomitë më të mëdha kanë më shumë avantazh në këtë këndvështrim. Megjithatë, në vende të ndryshme mund të lindin marka që mund të njihen në nivel global, dhe në disa raste, ekonomitë më të vogla ia dalin të krijojnë marka të famshme, përkundër çdo pritshmërie. Përmendim si shembull telefonat Nokia të Finlandës dhe birrën Corona nga Meksika.


Huazuar nga Koha.mk

Një kafe nga ju!

Back to top button