Chris LaCivita: Politikat e 12 viteve të fundit kanë vështirësuar qëndrimin e rinisë në Shqipëri, Berisha siguron që të gjeni suksesin këtu

Këtë të mërkurë, strategu i fushatës së Partisë Demokratike, Chris LaCivita, ishte në takimin me të rinjtë e FRPD, duke i inkurajuar ata të angazhohen aktivisht në procesin politik dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij, LaCivita theksoi se kjo fushatë është tërësisht e fokusuar në ekonominë dhe mundësitë për të rinjtë, duke u bërë thirrje atyre të ngrihen dhe të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet.
Gjithashtu, LaCivita i inkurajoi të rinjtë të përdorin fuqinë e rrjeteve sociale, për të përhapur mesazhin dhe për të angazhuar edhe miqtë dhe familjarët e tyre në këtë fushatë vendimtare.
LaCivita: Faleminderit për ftesën tuaj! Unë mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që në politikë, qoftë në Shtetet e Bashkuara apo këtu në Shqipëri, të rinjtë dhe votuesit e rinj të përfshihen dhe të marrin në dorë fatin e qeverisjes së tyre, sepse e ardhmja jeni ju.
Unë mendoj se politikat e 12 viteve të fundit e kanë bërë shumë vështirë të ardhmen dhe për mundësitë për të rinjtë. Por shumë nga politikat që sjell Dr. Berisha, synojnë pikërisht që ju të mund të qëndroni këtu, të gjeni mundësi, të keni sukses, dhe të ndihmoni në ndërtimin e vendit.
Prandaj është shumë e rëndësishme, dhe ju e dini. Për fushatën është thelbësore që t’i japë mesazhet aty ku ndodhen votuesit. Shumica prej jush nuk e merrni informacionin nga burimet tradicionale, si media klasike. Ju informoheni përmes rrjeteve sociale, përmes internetit dhe platformave të ndryshme. Kështu që, është shumë e rëndësishme që ne të komunikojmë me të gjithë ju.
Por po aq e rëndësishme është që edhe ju të angazhoheni, të shprehni mendimin tuaj, dhe të siguroheni që miqtë dhe familjarët tuaj të dalin dhe të votojnë. E gjithë kjo fushatë ka të bëjë me çështjen më të rëndësishme: ekonominë dhe të ardhmen. Dhe ju djema, e keni plotësisht në dorë ta ndryshoni të ardhmen dhe drejtimin e këtij vendi. Por nuk mund ta bëni këtë nëse nuk ngriheni.
Ka një shprehje të vjetër në Amerikë: “Bota drejtohet nga ata që ngrihen.” Dhe është shumë, shumë e rëndësishme që ju të merrni pjesë dhe të bëni që zëri juaj të dëgjohet”, u shpreh Chris LaCivita.