Aktualitet dhe LajmeBotaPërditshmëri

Blindohet Amerika

Share
CAPITOL HILL NË NIVELIN MË TË LARTË TË SIGURISË, NESËR BETOHET PRESIDENTI I 46 I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS
Garda Kombëtare dhe FBI në kryeqytetin amerikan po punojnë për të siguruar që inaugurimi këtë javë i Joe Bidenit si presidenti i 46-të, të zhvillohet në mënyrë paqësore. Godina e Kongresit amerikan si dhe zona përreth tij janë bllokuar që pas sulmit të dhunshëm të 6 janarit.
Joe Biden është gati të inaugurohet të mërkurën në shkallët e Kapitolit në Uashington, si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Ngjarja kombëtare nën masa të rrepta sigurie vjen mes njoftimeve se grupe ekstremiste të brendshme mund të protestojnë përsëri për rezultatet e zgjedhjeve.
Rojet e armatosura në kryeqytetin amerikan po punojnë për të siguruar që inaugurimi këtë javë i Joe Bidenit si presidenti i 46-të, të zhvillohet në mënyrë paqësore. Ceremonia, e ndryshuar tashmë për shkak të pandemisë, do të jetë edhe më e kufizuar pas dhunës në Kapitol më 6 janar. Ekipi i zotit Biden thotë se inaugurimi do të dërgojë një sinjal vizual për amerikanët dhe botën për qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane.
Pjesëmarrësit në një provë për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden u evakuuan të hënën nga krahu Perëndimor i Kapitolit me urdhër të zyrtarëve të sigurisë pas një zjarri që përfshiu një kamp të pastrehësh. Lajmi u njoftua nga zyrtarë në dijeni mbi çështjen.
Personat që morën pjesë në prova mes tyre dhe banda e ushtrisë, u detyruan të futen brenda kompleksit të Kapitolit.
Pjesëmarrësit thanë se zyrtarët e sigurisë ndërsa i orientonin të futeshin në ndërtesë, bërtisnin: “kjo nuk është një stërvitje”.
Katër zyrtarë të zbatimit të ligjit i thanë agjencisë së lajmeve “Associated Press” se bëhej fjalë për një zjarr që kishte shpërthyer disa blloqe më tej dhe se pjesëmarrësit në prova ishin evakuar për arsye sigurie.
Ndërkohë zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se janë të shqetësuar për një sulm të brendshëm apo kërcënime të tjera që mund të vijnë nga vetë punonjësit e shërbimit ushtarak, të përfshirë në garantimin e sigurisë gjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Shqetësime këto që kanë bërë që FBI-ja të kryejë një proces shqyrtimi të të 25,000 trupave të Gardës Kombëtare që do të dislokohen në Uashington me rastin e inaugurimit.
Kjo sipërmarrje masive reflekton shqetësimet e jashtëzakonshme mbi sigurinë që kanë mbërthyer Uashingtonin pas sulmit të dhunshëm të 6 janarit në Kapitol nga protestues pro presidentit Trump. Ajo nënvizon frikën se disa nga vetë njerëzit e caktuar për të mbrojtur qytetin gjatë ditëve të ardhshme mund të paraqesin një kërcënim për presidentin e ardhshëm dhe personalitet e tjera të pranishëm.
Sekretari për Ushtrinë Ryan McCarthy i tha “Associated Press” të dielën se zyrtarët janë të vetëdijshëm për kërcënimin e mundshëm dhe ai paralajmëroi komandantët e ushtrisë që të mbajnë nën vëzhgim situatën për identifikimin e çdo problemi brenda radhëve të tyre, ndërsa inaugurimi afrohet. Megjithatë deri më tani zoti McCarthy dhe udhëheqësit e tjerë ushtarakë thonë se nuk kanë gjetur ndonjë provë për ndonjë kërcënim dhe se procesi i shqyrtimit nuk ka dhënë ndonjë sinjal në këtë drejtim.
“Ne po vazhdojmë me procesin dhe po i shqyrtojmë për herë të dytë e të tretë, secilin prej personave të caktuar në këtë operacion“, tha zoti McCarthy në një intervistë pasi ai dhe udhëheqësit e tjerë ushtarakë kryen një stërvitje të plotë, tre-orëshe mbi sigurisë në përgatitje për inaugurimin e së mërkurës. Ai tha se anëtarët e Gardës po trajnohen gjithashtu se si të identifikojnë kërcënimet e mundshme të brendshme.
Rreth 25,000 anëtarë të Gardës Kombëtare do të dislokohen këtë herë në Uashington ose rreth dy herë e gjysmë më shumë se numri i trupave të dislokuar në inaugurimet e mëparshme. Ndërsa ushtria rishikon rregullisht anëtarët e shërbimit për lidhje me ekstremistët, shqyrtimi nga ana e FBI-se është një proces shtesë mbi çdo shqyrtim të kryer më parë.
Zyrtarë të shumtë thonë se procesi nisi kur trupat e para të Gardës filluan të dislokohen në Uashington, më shumë se një javë më parë. Sipas tyre shqyrtimi është planifikuar të përfundojë deri të mërkurën. Disa zyrtarë diskutuan rreth çështjeve të lidhuara me planifikimin ushtarak në kushte anonimiteti.
“Pyetja që ngrihet është: a janë të gjithë? A ka të tjerë? ”, thotë zoti McCarthy. “Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe duhet të vendosim në funksion të gjithë mekanizmat për të kontrolluar plotësisht këta burra e gra, që do të mbështesin një operacion si ky“.
Në një situatë si kjo, shqyrtimi i FBI-së do të përfshinte kontrollimin e emrave të njerëzve përmes bazës së të dhënave dhe listave të mbikëqyrjes në dispozicion të byrosë, për të parë nëse rezulton diçka alarmante. Kjo mund të përfshinte hetime paraprake ose shqetësime të lidhura me terrorizmin, thotë David Gomez, një ish-ekspert për çështje të sigurisë kombëtare në FBI me bazë në Siatëll.
Kërcënimet e brendshme kanë qenë një përparësi e vazhdueshme e strukturave të zbatimit të ligjit pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Por në shumicën e rasteve mendohet se kërcënimet vijnë nga persona të radikalizuar nga al-Kaida brenda SHBA-së, grupi i Shtetit Islamik ose grupe të ngjashme. Në ndryshim këtë herë, kërcënimet kundër inaugurimit të zotit Biden janë nxitur nga mbështetës të Presidentit Donald Trump, militantë të ekstremit të djathtë, supremacistë të bardhë dhe grupe të tjera radikale. Shumë besojnë akuzat e pabazuara në fakte të zotit Trump, se zgjedhjet u vodhën, një pretendim ky që është hedhur poshtë nga shumë gjykata, Departamenti i Drejtësisë si dhe zyrtarë republikanë në shtetet kyçe të fushë-betejës.
Sulmi i dhunshëm në Kapitol nisi pasi Presidenti Trump bëri disa komente nxitëse në tubimin e 6 janarit. Sipas zotit McCarthy, në tubim merrnin pjesë anëtarë të shërbimit aktiv të ushtrisë, por nuk është i qartë numri i tyre ose se kush morri pjesë në futjen me dhunë në Kapitol. Deri më tani vetëm disa anëtarë të shërbimit aktiv ose të Gardës Kombëtare janë arrestuar në lidhje me sulmin në Kapitol, i cili la pas pesë të vdekur, mes tyre një oficer të Policisë së Kapitolit dhe një grua që u qëllua nga policia ndërsa përpiqej të hynte brenda Dhomës së Përfaqësuesve.
Gjenerali Daniel R. Hokanson, shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare, ka zhvilluar takime me trupat e Gardës ndërsa ata po dislokohen në Uashington. Ai tha se beson se po zhvillohen procedurat e duhura për të identifikuar kërcënimet e mundshme.
“Nëse ka ndonjë tregues se ndonjë nga ushtarët ose pilotët tanë po shprehin pikëpamje ekstremiste, ata ose i dorëzohet strukturave të zbatimit të ligjit ose çështja merret në shqyrtim menjëherë nga zinxhiri i komandës“, tha ai.
Uashingtoni, një qytet në gjendje të jashtëzakonshme. Pas ngjarjeve të 6 janarit, kur një numër i vogël policësh jashtë Kapitolit u vunë poshtë nga kryengritës të dhunshëm, frika e trazirave në ditët para ceremonisë së marrjes së postit nga Joe Biden të mërkurën është e madhe. Dhe edhe nëse ka kaluar në sfond që nga sulmet e Kapitolit – pandemia e koronavirusit vazhdon me tërbim në Uashington dhe në të gjithë SHBA, si dhe pothuajse kudo në botë.
Pra, këto nuk janë shenja të mira për një festë popullore për të shënuar marrjen e detyrës nga Presidenti i zgjedhur Demokrat i SHBA. Zakonisht, qindra mijëra vetë mblidhen në National Mall në Uashington për të parë shkurt Presidentin që bën betimin në shkallët e Kapitolit, për të dëgjuar programin muzikor ose thjesht për të qenë atje. Përveç shfaqjeve nga yje të tillë si Beyonce ose Aretha Franklin, koret për fëmijë dhe kishtare janë gjithashtu pjesë e programit të ceremonisë së marrjes së detyrës.
Betimi zytar i presidentit zakonisht pasohet nga një paradë, në të cilën çifti presidencial dhe ai nënpresidencial ecin pranë tribunave të spektaktorëve në Pennsylvania Avenue drejt Shtëpisë së Bardhë. Në paradë marrin pjesë edhe ushtarakë dhe banda të ndryshme me instrumenta frymorë.
Jo turma njerëzish
Këtë vit gjithçka është ndryshe. Zyrtarët u bëjnë thirrje të gjithë amerikanëve që të mos vijnë për festimet. “Në 20 janar do të ketë një transferim të pushtetit dhe ne do të punojmë me partnerët tanë në qeverinë federale për të garantuar sigurinë e rajonit përreth kryeqytetit tonë,” thuhet një deklaratë të përbashkët të kryetares së bashkisë të Uashingtonit dhe të guvernatorëve të dy shteteve fqinje, Maryland dhe Virxhinia. “Për shkak të rrethanave të veçanta […] siç janë kryengritja e dhunshme e javës së kaluar dhe pandemia vdekjeprurëse COVID-19, ne po ndërmarrim hapin e jashtëzakonshëm për të inkurajuar amerikanët të mos vijnë në Uashington, DC.”
Në ceremoninë e parë të marrjes së postit nga Barack Obama në vitin 2009, në qendrën e Uashingtonit u mblodhën 1.8 milionë vetë. Te Donald Trumpi në vitin 2017 duhet të kenë qenë rreth 500.000 vetë.
Edhe para se ekstremistët e djathtë të sulmonin Kapitolin në 6 janar, sulm në të cilin u vranë pesë persona, ceremonia ishte planifikuar këtë vit si ngjarje me një audiencë shumë të vogël. Një “paradë gjigante e marrjes së postit në Pennsylvania Avenue” nuk ishte e përshtatshme për shkak të Coronas, njoftoi Joe Biden në fillim të janarit.
Niveli më i lartë i sigurisë
Që nga trazirat, COVID-19 është bërë shqetësimi i vogël. Kryeqyteti i SHBA është barrikaduar, në qendër të Uashingtonit shumë dyqane dhe ndërtesa zyrash janë tashmë të mbuluara me qepena druri të rëndë. Shërbimi Sekret ka marrë përgjegjësinë për sigurinë rreth ceremonisë të mërkurën. Më shumë se 20.000 ushtarë të Gardës Kombëtare janë mobilizuar për ceremoninë. Për krahasim: në ceremoninë e Trump katër vjet më parë ishin rreth 8000 ushtarë.
Dhe kjo nuk është e gjitha. Jeta normale pothuajse do të ndalet në Uashington të mërkurën, shumë kufizime janë në fuqi që tani. Zona përreth Kapitolit është e ndaluar për trafikun dhe ushtarët e armatosur patrullojnë përgjatë një gardhi të gjatë dy metra rreth selisë së Kongresit. “Unë ndihem i sigurt tani, kjo këtu duket si bazë ushtarake”, i tha DW Jim Freund, një banor lokal që jeton disa blloqe larg Kapitolit.
Rezervimet janë anuluar
Nga fundjava, 14 stacione të metrosë në qendër të Uashingtonit do të qëndrojnë të mbyllura. Për demonstruesit e mundshëm do të bëhet sa më e vështirë të afrohen në vendin e ngjarjes. Ende nuk është përcaktuar zyrtarisht, por është mjaft e mundshme që National Mall midis Kapitolit dhe Memorialit të Linkolnit do të mbyllet plotësisht, edhe për këmbësorët. Parukeritë dhe palestrat të mërkurën do të mbyllen, nëse nuk janë mbyllur tashmë për shkak të pandemisë. Dhe qëndrimi në Uashington gjatë javës së përurimit nuk do të jetë i lehtë për mysafirët e jashtëm. Të mërkurën, Airbnb njoftoi se kishte anuluar të gjitha rezervimet në zonën e Uashingtonit gjatë kësaj periudhe.
Në deklaratën e saj, kompania për ndërmjetësimin e strehimit privat tha se vendimi ishte bazuar në kërkesën e kryetarit të bashkisë së Uashingtonit dhe guvernatorëve të shteteve fqinje për të qëndruar larg kryeqytetit. Veç kësaj kishte gjithashtu informacione se milicë dhe protestues të dhunshëm duan të vijnë në qytet për të prishur ceremoninë e Bidenit. “Ne vazhdojmë të punojmë për të siguruar që anëtarët e grupeve të tilla të mos bëhen pjesë e komunitetit Airbnb,” tha kompania. Kundërshtarët e betuar të Joe Bidenit nuk do të pengohen nga këto masa. Por ndryshe nga sulmi kundër Kapitolit, Uashingtoni tani shpresohe të jetë i përgatitur.
Per portalin tone nga Mevlut Derti

Një kafe nga ju!

Back to top button