Aktualitet dhe Lajme

Bizneset arritën fitime në 2022, punonjësit prodhuan më shumë, por u paguan më pak

Share

Produktiviteti i punës, i cili mat të ardhurën që merret nga një i punësuar (shifra e afarizmit për të punësuar), shënoi rritje të ndjeshme gjatë vitit 2022 sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, të cilat burojnë nga të dhënat finale të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, të publikuara së fundmi.

Shitjet neto për të punësuar për vitin 2022, kanë qenë 6.13 milionë lekë nga 5.11 milionë lekë në vitin 2021, duke u rritur me 20%.

INSTAT referoi se, ky tregues është më i lartë tek prodhuesit e të mirave, në krahasim me prodhuesit e shërbimeve.

Në vitin 2022, shitjet e bizneseve u ndihmuan nga rritja e çmimeve, teksa shpenzimet për paga ndaj punonjësve u rritën me ritme më të ulëta.

Sipas INSTAT, rritja reale e pagave (e indeksuar për inflacionin), ne 2022 ishte vetëm 1.5%.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se në nga 12 qarqe të vendit, në 9 prej tyre pagat janë rritur më pak se inflacioni, duke ndikuar që paga reale në pjesën dërmuese të vendit ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2021.

Bizneset arritën fitime rekord

Në vitin 2022, inflacioni mesatar arriti në 6.7%, si rrjedhojë e ndërprerjeve në zinxhirin e prodhimit që shkaktoi pandemia dhe më pas efektet e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës në çmimet e mallrave.

Teksa rritja e kostove të biznesit u transferua te konsumatori final, sipërmarrjet kanë rezultuar me fitime rekord. Të dhënat e tjera nga Ministria e Financave bënë të ditur se të ardhurat nga tatim fitimi arritën rekordin prej 47.7 miliardë lekë, duke u rritur me 34% me bazë vjetore.

Edhe renditja e përvitshme e kompanive me fitime më të mëdha, që publikohet nga Monitor tregoi për rritje të ndjeshme të fitimeve.

Tendenca ndryshoi në 2023

Por në vitin 2023, të dhënat tregojnë për një frenim të produktivitetit të punës, për shkak se pagat si në sektorin privat dhe në atë publik panë një rritje të shpejtë. Sidomos në sektorin privat rritja e pagave u nxit nga emigracioni, i cili shkaktoi mungesë të fuqisë punëtore, duke detyruar bizneset të sakrifikonin fitimet.

Rritja e pagës mesatare në sektorin privat vazhdoi të qëndrojë në vlera dyshifrore edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023. Ajo shënoi nivelin 14.5%, nga 15.0% në tremujorin e mëparshëm.

Në terma realë, rritja e pagës në sektorin privat qëndron në nivelin 10.4%, në të njëjtën vlerë sikurse edhe në tremujorin e dytë të vitit 2023.

Kjo rriti kostot e punës për njësi me 9.9% gjatë tremujorin e tretë të vitit 2023, në përshpejtim kundrejt normës 7.1% të regjistruar një tremujor më parë. Ecuria ka pakësuar produktivitetin i punës analizoi Banka e Shqipërisë ditët e fundit.

Luhatjet e produktivitetit

Përgjatë dekadës së fundit produktiviteti i punës pati luhatje dhe shpesh pësoi ulje edhe pse ekonomia ishte në rritje.

Aksionet për formalizimin e ekonomisë rriten numrin e të punësuarve të ligjshëm, të cilët edhe pse në rritje nuk kishin se si të ndikonin në prodhim.

Në Shqipëri punësimi u rrit më shumë se rritja ekonomike, për pasojë të punësuarit ndanë më pak fitime nga puna.

Zhvillimet demografike, me plakjen e popullsisë dhe reduktimin e forcës së punës po ushtrojnë presion mbi modelin ekonomik të Shqipërisë.

Ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare financiare bëjnë thirrje se Shqipëria duhet të rrisë aftësitë mësimore për të orientuar ekonominë drejtë inovacionit dhe sektorëve me produktiv.

Analizat e institucioneve të specializuara si FMN dhe Banka e Shqipërisë, tregojnë se rritja e pagave pa rritur produktivitetin në ekonomik kthehet në rrezik, duke ndikuar në rritjen e çmimeve dhe jo të mirëqenies.

Praktikat e vendeve të tjera kanë treguar se produktiviteti i punës rritet duke orientuar ekonominë në teknologji, inovacion dhe në prodhime e shërbime që kanë vlerë të lartë në treg.

Por për të arritur këtë stad vendit i duhet një forcë pune e mirarsimuar dhe me aftësi.

 






Huazuar nga Albeu.com

Back to top button