Berisha: Rama sulmoi RAI 3 me gjuhën e një ordineri
Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar mbrëmjen e kësaj të marte investigimin e emisionit “Report” në RAI 3, i cili e cilësonte Shqipërinë si një “narko-shtet”. Gjatë fjalës së tij në tubimin e përditshëm qytetar, Berisha shprehet se sipas tij narkoshtetin në Shqipëri nuk e solli RAI 3, por vetë kryeministri Rama me bashkëpuntorët e tij. Berisha më tej ka hedhur akuza se kryeministri Rama ka mohuar shifrat e Eurostatit për shpopullimin e Shqipërisë, si dhe manipulimin e shifrae të regjistrimit të popullsisë në vend, që sipas tij është krimi i shekullit.
“Sot me gjuhë ordineri, Edi Rama i goditur moralisht për vdekje, kërkoi të paraqesë dokumentarin e RAI-t si eksport të Tiranës, si produkt apo eksport i opozitës shqiptare. Ky është një mashtrim i madh sa vetë mali i Dajtit. Narkoshtetin në Shqipëri nuk e solli RAI3, nuk e solli as mafia siciliane apo Ndragheta, Sacra Corona Unita.
Narkoshtetin në Shqipëri e solli vetëm dhe vetëm Edi Rama me kriminelët e tij.Dhe me narkoshtetin, instalimin e tij, Edi Rama kreu krimin e dytë më të shëmtuar në historinë e kombit shqiptar pas atij të parit që tejkalon çdo krim dhe mynxyrë kombëtare dhe që lidhet me shpopullimin e Shqipërisë, largimin sipas INSTAT nga viti 2014-2022 të mbi 1 milion shqiptarëve, krim gjenocidal ndaj kombit tonë që është vepra më e zezë e një pushtuesi në historinë tonë kombëtare.
Por, si një armik i egër i një kombi, për këto krime të panjohura në ëkto përmasa në historinë e kombit shqiptar, Edi Rama ka zgjedhur për të parin mohimin e shifrave të Eurostatit. Ka zgjedhur për të parin, manipulimin e shifrave të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë, të cilat tregojnë se tashmë graviteti i kombit është spostuar në Kosovë, pasi në 11 mijë kilometra katrorë në Kosovë banojnë më shumë shqiptarë se në 28 mijë metra katrorë në Shqipëri dhe ky është krimi i shekujve miqtë e mi”– tha Berisha. /LAPSI.al
Huazuar nga Lapsi.al