Berisha prezanton programin për bujqësinë: Do zhbëjmë aktet armiqësore të Ramës dhe Vuçiçit kundër fermerëve shqiptarë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalimit tij mbrëmjen e sotme tha se marrëveshja e Ramës dhe Vuçiç kundër fermerëve shqiptarë do të marrë fund në parlamentin e ardhshëm. Berisha u shpreh se do krijohet agjencia e studimit të tregjeve dhe orientimit të fermerëve në mënyrë që të mos ndodhë kjo që ndodh rëndom tani.
“Të dashur miq, me një marrëveshje të fshehtë me Beogradin, me padronin e tij, Edi Rama vendos mbi fermerët shqiptarë sistemin më armiqësor që ekziston kund të taksës së vlerës së shtuar. Zero në blerje, 20 në shitje. Çfarë do të thotë kjo miqtë e mi? Kjo do të thotë që të gjithë operatorët e fushës në bujqësi të mos blejnë produktet e fshatarëve, por të marrin produktet e importit. Atyre t’u kalbet në fushë, kurse fermerëve të Shumadishës të vijnë dhe të përpunohen në Shqipëri. Ky akt armiqësor, antishqiptar do marrë fund javën e parë të parlamentit të ardhshëm. Do krijohet agjencia e studimit të tregjeve dhe orientimit të fermerëve në mënyrë që të mos ndodhë kjo që ndodh rëndom tani, ku qindra e mijëra kuintalë prodhime të klasit të parë përfundojnë në kanale, groposen për shkak të dezorientimit të plotë për tregun dhe mosinformimin e tyre.
Do garantohet shërbimi bujqësor dhe blegtoral nga shteti në çdo rreth, në çdo qark, i organizuar dhe falas. Do investohet për mekanizmin dhe modernizimin e mekanikës bujqësore. Një kontroll i rreptë do jetë mbi importin e imputeve bujqësore. Cilësia e tyre do jetë kushti i të gjitha kushteve për t’u shpërndarë në këtë vend. Siguria ushqimore, e cila sot është si kurrë më parë keq, do jetë një përparësi absolute. Pra, miqtë e mi, për ne krijimi i mirësive, pasurive, begatimi kudo që jetojnë shqiptarët, është dhe mbetet qëllimi ynë madhor. Ndaj dhe të bashkohemi, është radha jonë, është radha jonë. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!” tha Berisha.