Berisha kërkon shfuqizimin e vendimeve ndaj tij, zhvillohet sot seanca në Gjykatën Kushtetuese
Ditën e sotme zhvillohet seanca në Gjykatën Kushtetuese ku pritet të shqyrtohet kërkesa e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha lidhur me vendimet e GJKKO, e cila me kërkesë të SPAK, caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë shtetit”.
Në kërkesën e tij, Berisha pretendon shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme, Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Ai tha se masat e SPAK janë antikushtetuese dhe të paligjshme, pasi duke qenë deputet duhej të merrej autorizimi në Kuvend.
“Shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”,” thuhej në kërkesën e tij.
Lideri i opozitës ndodhet në arrest shtëpie që prej datës 30 dhjetor 2023. Berisha është marrë i pandehur lidhur me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Ai akuzohet për veprën penale “korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim”.