Baton Haxhiu: SPAK-u do të ndryshojë elitën politike në Shqipëri
Gazetari dhe analisti Baton Haxhiu mendon se Prokuroria e Posaçme do të ndryshojë elitën politike në Shqipëri.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Haxhiu tha se ky proces nuk është pozitiv, por ndodh në një situatë si Shqipëria ku elitat e vjetra politike nuk u lënë hapësirë gjeneratave të reja.
Por Baton Haxhiu theksoi se gabimi në një skenar të tillë është kur drejtësia bëhet selektive.
“Unë nuk bie dakord që SPAK-u nuk është këtu për të ndryshuar elitën. Realisht më herët këtu kemi biseduar si drejtësia e SPAK-ut për faktin që gjeneratat e reja nuk po ndërtojnë një rrëfim të ri për Shqipërinë dhe nuk po ndërtojnë një lider të ri, atëherë elitat e të shkuarës dhe të tashmes e kanë ngulfatur skenën politike me vjetërsinë dhe qëndrueshmërinë e gjatë në pushtet dhe natyrshëm që modele të tilla ndonjëherë realizohen edhe përmes drejtësisë. A është gabim? Natyrisht që është gabim. Por ky proces ku bëhet i rëndë? Kur drejtësia pastaj e merr guximin që të përcaktojë edhe elitën për zgjedhje, edhe etablimin e një elite e cila është në pushtet”.
Sipas Baton Haxhiut, arrestimi i dy liderëve të opozitës disa muaj para zgjedhjeve parlamentare 2025, me Sali Berishën në arrest shtëpie dhe Ilir Metën në arrest në burg, është i gabuar dhe shkatërron procesin demokratik.
“SPAK-u mund të bëjë drejtësi por njerëzit te SPAK-u duhet të kenë edhe analiza politike dhe sociale. Nuk kanë të drejtë ata ta shkatërrojnë procesin demokratik. Lejo t’i humbasin zgjedhjet dhe ktheju procesit gjyqësor. Nëse nuk humbasin zgjedhjet është çështje tjetër. SPAK nuk mund të përcaktojë rrezikshmërinë për 2 liderë për faktin se ata ndërtojnë rrëfimin e vetë. Shteti është ai që e përcakton se kush është i rrezikshëm këtu, dhe meqë pushteti i Edi Ramës e ka policinë, SPAK nuk do duhej të frikësohej nga dy liderë që janë të frikësuar.
Lideët të cilët janë të tillë dhe janë në një proces gjyqësor për korrupsion, më mirë është të ikin se sa të rrinë dhe heroizohen brenda burgut. Të jesh i korruptuar dhe të gjesh një fakt nuk do të thotë që e bën drejtësië me automatizëm dhe analizon cila është pasoja më e madhe. SPAK-u po prodhon një lider të ri, se hoqi 2. Pse e quaj drejtësi selektive? Dy liderë që janë me arrest shkatërron garën zgjedhore dhe nuk ka kuptim. Si model shndërrohet në një proces zgjedhor autokratik ose një drejtësi hibride krejtësisht autokratike. Nuk mundet drejtësia në këtë moment 5 muaj para zgjedhjeve nuk mund ta lërë që kjo të ndodhë”, u shpreh Baton Haxhiu.