Bashkia Bulqizë do të shpenzojë afro 110 mijë euro për regjistrimin e pronave në fshatin Homezh
Bashkia Bulqizë ka shpallur tenderin për realizimin e regjistrimit të pronave në zonën kadastrale nr. 1958, që përfshin fshatin Homezh në Njësinë Administrative Shupenzë. Ky proces synon përmirësimin e dokumentacionit pronësor. Referuar dokumentacionit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, periudha për dorëzimin e ofertave nga operatorët ekonomik do të jetë nga data 6 dhjetor 2024 deri më 23 dhjetor 2024. Fondi limit për këtë projekt është përcaktuar në 11,000,000 lekë ose afro 110 mijë euro.
Në termat e referencës, Bashkia thekson nevojën për ndihmën e kompanive të specializuara që do të ofrojnë asistencë teknike, trajnime për punonjësit dhe modele zgjidhjesh për standardizimin e procedurave. Në relacion, thuhet se bashkia përballet me vështirësi dhe paqartësi në koordinimin teknik të punëve me Zyrën Vendore të ASHK-së në Bulqizë, duke penguar zgjidhjen e qëndrueshme të çështjeve të pronësisë.
Nëpërmjet këtij tenderimi, synohet një proces i detajuar për analizimin dhe vlerësimin e AMTP-ve (Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi) ekzistuese për parcelat bujqësore të privatizuara sipas ligjit 7501, me qëllim rregullimin e gabimeve dhe saktësimin e të dhënave kadastrale për zonën kadastrale nr. 1958, fshati Homezh.