Aktualitet dhe Lajme

Banka Botërore: Shqipëria në mesin e vendeve me rritjen më të lartë të “eksportit” të IT

Share

Segmenti i shërbimeve të informacionit dhe teknologjisë (IT), është aktualisht kategoria me rritjen më të shpejtë të tregtisë ndërkombëtare.

Një studim global nga Banka Botërore, referoi se gjatë periudhës 2010–22, shërbimet e IT-së u rritën me 12 për qind në vit, duke tejkaluar të gjitha kategoritë e tjera të shërbimeve, dhe Shqipëria ishte në mesin e vendeve që pa zgjerim më të shpejtë vitet e fundit.

Në rang global në vitin 2022, shërbimet e IT, u bënë kategoria e tretë më e madhe e eksporteve të shërbimeve, menjëherë pas transportit dhe udhëtimeve.

Vendet në mbarë botën po përqafojnë sektorin e shërbimeve të IT-së si një shtytës i ri i rritjes, diversifikimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës me paga të larta.

Ndër vendet me të ardhura të mesme të larta, 6 nga 10 performuesit më të mirë janë nga Evropa dhe Azia Qendrore rajoni, duke përfshirë Shqipërinë, Armeninë, Gjeorgjinë, Kazakistanin, Moldavinë dhe Malin i Zi, raportoi Banka Botërore.

Në këto vende eksportet e shërbimeve të IT pësuan rritje vjetore nga 30 për qind në 130 për qind gjatë 2019–2022.

Banka Botërore referon se në Shqipëri në vitin 2022 numëroheshin 539 kompani të teknologjisë dhe informacionit.

Eksportet e këtij grupi arritën në 88 milionë USD, teksa investimet në këtë sektor kapën vlerën e 150 milionë dollarëve.

Teknologjia dhe përdorimi saj morën hov gjatë dhe pas pandemisë Covid-19 në vendet me të ardhura të mesme ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Ndër vendet me të ardhura të ulëta, Madagaskari dhe Uganda, ishin dy shtetet e vetme që raportuan rritje të eksporteve të në teknologji dhe informacion.

Eksportimi i shërbimeve IT, po zgjeron shtrirjen dhe ndikimin global në krijimin e bizneseve të reja teknologjike.

Për vendet e pasura me burime, por pa dalje në det dhe me të ardhura më të ulëta, eksportet e shërbimeve të IT-së ofrojnë perspektiva dhe mundësi për t’u diversifikuar dhe integruar në ekonominë globale.

Për shumicën e shteteve eksportet e shërbimeve IT, po krijojnë vende pune të mirë-paguara.

Banka Botërore vlerëson se digjitalizimi, është mundësia transformuese e kohës sonë. Sektori IT po bëhet promotor i inovacionit, rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës.

Vlera e shtuar në sektorin e shërbimeve të IT-së, u rrit me 8 për qind në vit gjatë viteve 2000–2022, gati dy herë më shpejt se ekonomia globale.

Punësimi në shërbimet e IT-së u rrit me 7 për qind në vit, gjashtë herë më e lartë se totali i punësimit global.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button