Balla vizitë në Policinë e Spanjës: Grupe të përbashkëta hetimore për aktivitetet kriminale
Ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Spanjë u prit në një takim në Drejtorinë e Përgjithshëm të Policisë Kombëtare të Spanjës, ku diskutoi çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve për luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera kriminale.
Gjatë takimit, Balla vlerësoi mbështetjen e dhënë nga pala spanjolle për Policinë e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, sidomos sa u përket trajnimeve për luftën ndaj veprave penale të pastrimit të parave dhe për rikuperimin e aseteve të krimit.
Policia e Shtetit ka qenë një ndër përfitueset e projektit të drejtuar nga ekspertët spanjolle për luftën kundër krimit të organizuar përmes hetimit financiar. Pala spanjolle ka drejtuar punën edhe për hartimin e një manuali për zbulimin e pastrimit të parave dhe rikuperimin e aseteve kriminale.
Ministri Balla ka vlerësuar operacionet e përbashkëta të zhvilluar ndërmjet Policisë Shqiptare dhe Spanjolle, në këtë kuadër edhe operacionin “Anti-skifter”, i cili ka shënuar rezultate mjaft të mira.
Balla kërkoi që bashkëpunimi mes dy agjencive të rritet e thellohet më tej, duke ngritur grupe të përbashkëta hetimore për goditjen e aktiviteteve kriminale, në bashkëpunim edhe me INTERPOL dhe EUROPOL.
Në takim u vlerësua bashkëpunimi i derisotëm dhe rezultatet e arritura e gjithashtu u ra dakord për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, sidomos në rastet e hetimeve të përbashkëta, për shkëmbimin e të dhënave kriminale për persona apo dosje të ndryshme, për zhvillimin e takimeve dypalëshe në raste operacionesh specifike si dhe ato në fushën e narkotikëve, krimeve ekonomike e financiare dhe trafiqeve të paligjshme.
Gjatë takimit, ministri Balla ka falenderuar për asistencën e ekspertëve spanjoll në kuadër të projektit (EU4FOCAL), të implementuar nga Agjencia Spanjolle FIIAPP, e mbështetur nga Guardia di Finanza e Italisë dhe Policia Kombëtare e Hollandës, projekt i cili mbyllet në maj të këtij viti.
Një ndër qëllimet specifike të këtij projekti ishte lufta kundër krimit të organizuar përmes hetimit financiar, të mbështetur në metoda inteligjente dhe proaktive. Ekspertët spanjoll kanë kontribuar edhe për Institutin e Qenve të Policisë, ku janë stërvitur kafshë për identifikimin e gjurmimin e parasë ‘cash’.
/a.r
Huazuar nga Javanews.al