Arrestohet në flagrancë 27-vjeçari në Skrapar, kultivonte kanabis në pyll, asgjësohen 287 fidanë
Një 27-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Skrapar, pasi kultivoi kanabis në pyllin e fshatit Rehovë.
Si rezultat i një hetimi proaktiv të ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit dhe në vijim të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Territor i pastër”, Komisariati i Policisë Skrapar finalizoi operacionin policor të koduar “Rehova”, ndërsa u asgjësuan rreth 287 fidanë kanabis (në kubikë dhe në tokë).
“Gjatë operacionit në këtë fshat, rezultoi se 27-vjeçari kishte përgatitur disa vende në zonën e pyllëzuar, me qëllim kultivimin e bimëve narkotike, si dhe se kishte kultivuar në kubikë dhe në tokë, 287 fidanë cannabisi. Si rezultat u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi A. B., 27 vjeç, banues në fshatin Rehovë”, thuhet në njoftim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat.