Aktualitet dhe Lajme

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim të thelluar ndaj Erzenit, Gjirofarmës dhe dy prodhuesve të tjerë të nënprodukteve të qumështit

Share

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi sot se ka hapur një hetim të thelluar në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit.

Institucioni njofton se Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 29.12.2023, mori në shqyrtim procedurën hetimore ndaj ndërmarrjeve Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, ADG SHPK (Lufra), SHAKA Boboshticë SHPK në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit (djathë dhe gjalpë).

Duke iu referuar analizës së tregut të prodhimit dhe shitjes me shumicë të nënprodukteve të qumështit, rezulton se sjellja e ndërmarrjeve me pjesë të konsiderueshme tregu, Erzeni SHPK, Gjirofarma SHA, ADG SHPK (Lufra), SHAKA Boboshticë SHPK, mund të përbëjë abuzim me pozitë dominuese, sipas nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj këtyre katër ndërmarrjeve në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit. Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 – 31 dhjetor 2023.

Megjithëse vendimi është marrë në fund të muajit dhjetor, përmbajtja e plotë e tij dhe argumentimi i detajuar që ka motivuar hapjen e hetimit nuk është publikuar ende.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button