Atentati ndaj Kevin Hajrullës/ Zbardhet dinamika! Breshëria e plumbave e goditi sapo hipi në makinë

Në emisionin Në Shënjestër në News24 u trajtua tema e përplasjes së dhunshme mes familjeve kriminale në Shqipëri, me fokus në atentatet e fundit ndaj anëtarëve të familjeve Hajrulla dhe Sinomataj.
Para atentatit me eksploziv të kryer ndaj Bernard Sinomataj në apartamentin e tij në katin e 9-të në rrugën ‘Sadik Petrela’ në Tiranë, mbrëmjen e 22 dhjetorit 2024, një ngjarje e ngjashme kishte ndodhur vetëm një javë më parë rreth 150 kilometra larg kryeqytetit. Ky incident, i cili duket si një mesazh i qartë për thyerjen e armëpushimit dhe rifillimin e konfliktit mes kundërshtarëve të vjetër, ndodhi në qytetin e Vlorës dhe kishte si viktimë Kevin Hajrullën.
Kevin Hajrulla, punonjës në një call center, do të kishte qenë i panjohur për shumicën po të mos ishte për mbiemrin e tij dhe për lidhjet që mbante. Mbiemër ky që në Vlorë lidhet me një prej figurave të njohura të botës së errët, të cilat dyshohet se kanë marrë drejtimin e punëve të liga pas vrasjes së shefit të mëparshëm të krimit në këtë zonë.
Atentati ndaj Kevin Hajrullës, i cili mbeti i plagosur rëndë, ngjalli shumë dyshime për pistën e hakmarrjes dhe lidhej ngushtë me përplasjet midis familjeve Hajrulla dhe Sinomataj. Pak ditë pas sulmit ndaj Kevin Hajrullës, u krye atentati me dron me eksploziv ndaj Bernard Sinomataj në Tiranë, duke konfirmuar kështu se tensionet mes këtyre familjeve vijonin.
Ngjarja në Vlorë ndodhi mbrëmjen e 18 dhjetorit 2024, kur Kevin Hajrulla sapo kishte pirë një kafe me miqtë e tij në një lokal të zonës. Kur doli dhe u afrua tek makina e tij ‘Mercedes Benz’, një automjet tjetër që kishte qëndruar për disa minuta në fund të rrugës u afrua dhe breshëri plumbash u shkrep mbi të. Dyshohet se autorët kishin informacion të plotë dhe të verifikuar për objektivin e tyre, gjë që dëshmohet edhe nga mënyra e organizimit të atentatit.
Përveç Kevin Hajrullës, plagoset edhe një shitës fruta-perimesh, i cili fatmirësisht shpëtoi pa humbur jetën. Ndërkohë që policia konfirmoi se Kevin Hajrulla, rreth 30 vjeç, u plagos rëndë dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Pak minuta pas atentatit, në fshatin Panaja të Vlorës u dogj një makinë që dyshohet se u përdor nga autorët për largimin, makinë e vjedhur në Maqedoninë e Veriut, një praktikë e zakonshme në krimet e organizuara.
Hetimet e policisë përqendrohen në lidhjet familjare të viktimës dhe intensifikimin e konfliktit mes grupeve kriminale për kontrollin e territorit. Plumbat që u qëlluan mbi makinën e Kevin Hajrullës, në numër prej 24, tregojnë ashpërsinë dhe vendosmërinë e atentatit për eliminimin e tij./Në Shënjestër, BW