Aktualitet dhe Lajme

Asmatikët në mëshirë të fatit, mungon ilaçi në formë pompe! Fondi i Sigurimit: Vjen për 2 muaj

Share

Të gjithë personat që vuajnë nga astma nuk gjejnë dot në farmaci, medikamentin që u lehëson frymëmarrjen në raste krizash. Përmes një vëzhgimi nga Report tv është zbuluar se Ventolina, (salbutamol), që merret përmes pompës dhe është e përfshirë në listën e barnave të rimbursushme nga shteti, mungon prej muajsh në farmaci.

Farmacia 1

A e keni këtë Ventolinë (salbutamol)?

Farmacistja: Jo, jo! Ka qenë mungesë. U bë goxha kohë mungesë. Kush e ka pasur e ka shitur.

Po pse është në mungesë, dihet gjë?

Farmacistja: Unë nuk kam për momentin. Nëse e do me pika, Ventolinë nuk ka, mund të marrësh diçka tjetër, nëse do me pompë mund të marrësh një firmë tjetër që është prapë Salbutamol, por unë nuk e kam.

Farmacia 2 

Ventolinë (Salbutamol)?

Farmacistja: Është mungesë, vetëm nëse gjen ndonjë farmaci, butoastma është një variant, sepse Ventolinë nuk ka është mungesë tregu. Vetëm nëse gjen këtë është rastësi, varet ku e porosisin.

Edhe kjo është e rrallë për t’u gjendur?

Farmacistja: Po është pak vështirë.

Kjo ventolinë nuk gjendet fare?

Farmacistja: Jo, vështirë shumë.

Ka shumë kohë?

Farmacistja: Po.

Po pse?

Farmacistja: Varet, ato problematikat e depove.

Farmacia 3

Keni Ventolinë Salbutamol?

Farmacisti: Jo është mungesë!

Edhe burime nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Urdhëri i Farmacistëve, konfirmojnë mungesën e Ventolinës.

Por më shqetësuesja, nga informacionet e marra nga Fondi i sigurimit është se edhe për dy muaj, pacientët astmatikë nuk do ta kenë Ventolinën në formë pompe, e cila në raste normale ju këshillohet që ta mbajnë me vete, pasi është ende në fazë prodhimi në Gjermani. Megjithatë nuk ka asnjë informacion dhe shpjegim se përse mungon.

“Për dy muaj mund të vije. Në fazë prodhimi në Gjermani. Është problem, por ju kanë dhënë ilaçe të tjera për ti lehtësuar”, thanë nga Fondi i Sigurimit.

Në këtë situatë për të mbajtur nën kontroll shëndetin, burimet konfirmojnë se astmatikëve ju këshillohet një lloj tjetër Ventoline në formë flakoni që nuk jep efektin e menjëhershëm, por edhe ky gjendet me vështirësi.

Në mungesë të medikamenteve bazë për astmatikët, jeta e së cilëve është në rrezik në rast se rrugët e frymëmarrjes mund të ju bllokohen nga një komplikacion, mjekët po e zëvendësojnë me barna alternative që përdoren për sëmundje të tjera.

Sipas ligjit për shërbimin farmaceutik, mungesa e barnave të detyrueshme, sic është Ventolina për astmatikët, në farmaci dhe agjencitë farmaceutike, dënohet me 50 mijë lekë gjobë.

Ventolina përdoret edhe për trajtimin e disa patologjive të sëmundjeve pulmonare obstruktive kronike, si dhe për të parandaluar bronkospazmë e shkaktuar nga ushtrimet fizike.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button