Aktualitet dhe Lajme

Arsyet/ Pse Meta i kërkoi divorcin Monikës 26 vjet pas martesës

Share

Në 29 tetor të 1998, kur Ilir Meta asokohe zv.kryeministër vendosi të celebrojë martesën me Monika Kryemadhin në Tiranë u dëgjuan të shtënat e artilerisë në një stërvitje jo aq të rastësishme të ushtrisë që organizohej po atë ditë. Dëshmitarë, sipas raportimeve të kohës kishin ambasadorin zvicerian, ish-kryeredaktorin e Zërit të Popullit Erjon Braçe dhe shefin e kabinetit të Metës, Mustafa Muçin.

Nga fotot e Armand Babanit duket se ceremonia ka qenë e thjeshtë, pa bujë dhe pa pompozitet, por që i rezistoi kohës për 26 vitet që pasuan. Deri më sot, kur Meta njoftoi se ka nisur procedurat e divorcit.

Nga e majta në të djathtë, ish ambasadori zvicerian në Tiranë, Monika Kryemadhi, Ilir Meta, Muç Muçi dhe Erjon Braçe
Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta pak momente pasi i thanë PO njëri-tjetrit në celebrim
Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta pak momente pasi i thanë PO njëri-tjetrit në celebrim

Çifti kurorëzonte me martesë fejesën që zgjaste prej 5 vitesh. E kishin nisur lidhjen që në 1993, gjatë aktivizmit të Forumit Rinor Eurosocialist dhe Monika Kryemadhi gjithnjë kishte pasur dëshirë t’i tregonte detajet e jetës së saj private.

“Unë kam qenë pak e turpshme,- do të tregonte Kryemadhi disa vite më pas,- por pas fejese jo më. Në fillim nuk e kam pëlqyer atë, se është pak maskilist. Nuk është xhentil, e them këtë në kontekstin e një vajze që ëndërron princin e kaltër. Jemi njohur në nëntor të vitit 1993, kam qenë 17 vjeç, një vit më pas jemi lidhur”

“Kur më ka sjellë lule kam qëndruar dy javë pa gjumë, për faktin se m’i solli” vazhdonte ajo.

Nga martesa kanë tre fëmijë, që tashmë janë rritur dy vajzat Borën dhe Erën, dhe djalin Besarin. Pikërisht me të birin, Meta tha se ka folur para se të bënte publik lajmin e divorcit me Monika Kryemadhit gjatë një interviste në Syri TV.

“Kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta, i cili më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njërin tjetrin mund të gjeni ndonjë zgjidhje me të qetë dhe unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje”  u shpreh Meta, që e fajëson bashkëshorten e tij për shumëçka.

Ndarja politike

Në studion e Syri Tv, Meta tregoi se nuk ia falte ende të shoqes djegien e mandateve të LSI, për të cilin ai ngulmon se nuk dinte gjë sepse ishte në Gjermani.

Shumëkush nuk e beson se Monika Kryemadhi e mori me kokën e saj, por sido të jetë mllefi i Ilir Metës për këtë akt është ende në ekstrem. Edhe në bisedën që pati në Syri TV kur foli për divorcin me Kryemadhin përmendi sërish këtë vendim të marrë pa u konsultuar me të.

“E përmenda çështjen e mandateve se ajo ka qenë një krisje shumë e madhe mes nesh. Nuk ka qenë lojë dhe nuk është lojë. Çështja e mandate është një krim për popullin shqiptar” tha ai.

Për djegien e mandateve Meta vazhdimisht ka përsëritur se nuk ishte në dijeni, megjithëse kjo shihet edhe si një mënyrë për t’iu shmangur përgjegjësisë për humbjen e koalicionit PD-LSI në vitin 2021.

Përveç kësaj, rikthimi i Metës në zyrën e tij në LSI u shoqërua me një distancim të menjëhershëm nga Monika Kryemadhi, që e dublonte në raport me zyrtarët e tjerë të partisë. Fillimisht, Meta përjashtoi nga forumet njerëzit e saj më besnikë në parti.

“Kam një pyetje për Elonën (Guri) tonë të dashur, kam një pyetje për Endritin (Brahimllari) që e kishim lënë me organizimin e partisë. Si ka mundësi që Partia e Lirisë është target e krimit të organizuar dhe është lënë pa roje nate. Lëri mo ato justifikimet e Monës. Duke ndenjur me Lulin ajo ka shtuar justifikimet. Monën e kemi xhan, por më shumë duam nënë Selvinë” shprehej Meta, që e kishte kuptuar se për sa kohë do të kishte të shoqen në korridoret e partisë, autoriteti i tij do të ishte gjithnjë i cunguar.

Më pas, Meta futi në statut një nen për nepotizmin që synonte largimin de fakto të Monika Kryemadhit nga Partia.

Kryemadhi nuk e besoi në asnjë moment se i shoqi e kishte seriozisht largimin e saj nga partia. Në vend se të ndërgjegjësohej për këtë, ajo fajësoi njerëzit pranë tij dhe tentoi të pajtohej duke u rikthyer në forumet e partisë në mënyrë sfiduese.

“Mendimet e mia do të jenë të drejtpërdrejta. Unë kam këndvështrim ndryshe sa i përket strukturimit të partisë. Nuk po them që kur kam drejtuar LSI-në kam shkëlqyer edhe të drejtën për të shprehur mendimin tim nuk mund të ma heqë dot. Nuk ka konflikt por një sjellje që ka marrë nga këshilltarët e gabuar”, – shprehej ajo, duke mos e kuptuar se në themelimin e LSI kishte qenë dhe do të mbetej përherë numri 2.

Ndarja personale

Çarja në parti e thelloi ndarjen personale. Prej disa muajsh, Ilir Meta nuk jeton në të njëjtën shtëpi me bashkëshorten dhe fëmijët, por është zhvendosur në një hotel pranë Liqenit të Thatë në Tiranë.

Në fillim u mendua se kreu i Partisë së Lirisë po përjetonte një krizë kalimtare në marrëdhënien e tij me bashkëshorten. Edhe vetë Monika Kryemadhi në një intervistë të para dy javëve fliste për një “ngrirje” që po i ndodhte marrëdhënieve të saj me Ilir Metën. Por sipas saj kjo kishte ndodhur edhe herë tjetër.

“Raporti im bashkëshortor me Metën është një raport për momentin i ngrirë për shkak të konfliktit në parti se sigurisht që brenda familjes tonë, familjes së vogël, ka ndërhyrë njerëz të cilët mendojnë që duke shkatërruar pozicionimet apo lidhjet familjare do të kenë karrierë politike. Mendoj që nuk është hera e parë që unë dhe Ilir Meta kemi këto konflikte” shprehej Kryemadhi.

Deklaratat tregojnë se Kryemadhi nuk e priste një divorc nga Meta dhe se ishte e bindur se konflikti me bashkëshortin ishte një inat rutinor, për të cilin shkaktarë ishin të tjerët.

Ndarja për prokurorët e SPAK

Monika Kryemadhi po hetohet nga SPAK për çështjen e lobimit në SHBA, për shpenzimet e operacioneve estetike dhe për pasurinë e saj. Prej disa muajsh i kërkon gjykatës së posaçme një telefon të vjetër që kishte harruar në shtëpinë e nënës së saj dhe që ishte sekuestruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Gjykata nuk i ka dhënë të drejtë.

Si Monika Kryemadhi, ashtu edhe Ilir Meta janë marrë në pyetje për pasurinë e tyre, por Kryemadhi nuk sulmon prokurorët për hetimin e saj, por Erjon Veliajn. Ajo e pranon se ka mendim ndryshe nga Meta mbi këtë çështje.

“Të gjithë kemi ndasitë dhe qëndrimet tona. Vazhdoj të qëndroj që lufta ime është betejë politike. Prokurorët do të bëjnë punën e tyre. Ndahem me Ilir Metën për sulmet ndaj SPAK” ka thënë ajo, kur është pyetur me mosmarrëveshjet që ka me të shoqin.

Ndërkohë, kur Ilir Meta është marrë në pyetje, ka sulmuar direkt Altin Dumanin të cilin e quan “Dum Dumani”, ndërsa thotë se në prokurori e thërrasin si “kundërshtar të narko-shtetit”. Meta është pyetur për pasurinë e përbashkët me Monika Kryemadhin, por ka thënë se nuk di asgjë për njerëzit që i kanë përmendur.

“Unë u pyeta kot më kot për gjëra që nuk kanë lidhje me mua por me veprimet e të tjerë, të miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të SPAK-ut” u shpreh ai.

Ndarja për qëndrimin ndaj SPAK kapi kulmin disa ditë më parë. Meta druhet se qëndrimi ndryshe brenda në parti mund të jetë një “sëmundje” që të infektojë të tjerë përveç Monika Kryemadhit dhe për këtë ka shpërthyer në sharje, siç dëgjohet në videon më poshtë.

Deklaratat e Monika Kryemadhit në dalje të SPAK dhe diferencat që ajo ka me të shoqin u transmetuan në Syri TV para se Meta të lajmëronte divorcin me Kryemadhin.

Padia e tij (faksimile më poshtë) është dërguar tashmë në gjykatë. Ajo përbën pikën kulmore të një marrëdhënieje të koklavitur, që përveç anës personale, ka edhe peshën e rëndë të të qënit kundër, jo vetëm pushtetit ekzekutiv, por edhe me atë gjyqësor./Lapsi.al

 

 



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button