Alban Dokushi flet pas daljes nga SPAK: Veliajn e kam takuar në burg me autorizim të Prokurorisë

Këtë të martë, sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi, është paraqitur në SPAK, ku është marrë në pyetje në lidhje me dosjen e Erion Veliajt.
Pas daljes nga SPAK, në një prononcim të shkurtër për mediat, Dokushi tha se takimet e tij me kryebashkiakun Veliaj, kanë qenë të autorizuar nga Prokuroria e Posaçme, duke lënë të kuptohet se ka vepruar brenda kuadrit ligjor.
“Unë e kam takuar kryebashkiakun Erion Veliaj me autorizim të prokurorisë”, – tha ai shkurtimisht para gazetarëve.
Alban Dokushi, është një nga njerëzit më të afërt të Veliajt, pasi kujtojmë se ka qenë i pari që e ka vizituar atë në qelitë e paraburgimit tek Blloku i Sigurisë tek Mine Peza, pas arrestimit të tij më 10 Shkurt.
Gjithashtu, Dokushi e ka shoqëruar Veliajn në SPAK edhe kur dëshmoi herën e parë.
Kujtojmë se SPAK i ka hapur një dosje të re Erion Veliajt, aktualisht prej rreth 90 faqesh, e pranuar dhe nga vetë kryebashkiaku, në lidhje me dyshimet se ai ka “orkestruar” nga qelia sulme drejt prokurorëve dhe gjyqtarëve të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion.
Fillimisht i përgjoi bisedat me të vëllain dhe bashkëshorten nga paraburgimi i Durrësit, të cilat u përdorën për të përforcuar faktet dhe argumentat për ta lënë në qeli edhe pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Ndërkohë së fundmi, hetuesit e BKH-së kanë sekuestruar kamerat e sigurisë së paraburgimit të Durrësit dhe regjistrat e institucionit ku shënohen takimet me të paraburgosurit.
SPAK po analizon hyrje-daljet në paraburgimin e Durrësit dhe hetuesit do të identifikojnë dhe do të marrin në pyetje të gjithë personat që e kanë takuar.
Po ashtu, SPAK do të verifikojë edhe nëse Erion Veliaj ka përfituar trajtim të favorshëm në krahasim me të paraburgosurit e tjerë, duke iu lejuar më shumë takime me familjarët apo persona të tjerë.
Pas një hetimi 1 vjeçar të SPAK, mbi Erion Veliajn janë ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.
Biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu, në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme, si disa vila në Qerret.