fbpx
Aktualitet dhe Lajme

Akuzat se ka përfituar tenderë publikë, vajza e Linda Ramës padit Berishën dhe gjashtë deputetë të opozitës për shpifje

Share

Rea Xhillari, vajza e bashkëshortes të kryeministrit Edi Rama ka kallëzuar në Gjykatën e Tiranës, Sali Berishën, me deputetët e tij, Luan Baçi, Flamur Noka, Tritan Shehu, Albana Vokshi, Edi Paloka, Edmond Spaho. Pas akuzave që Berisha ka lexuar ndaj Xhillarit duke e akuzuar si përfituese të tenderëve publike, ajo i ka paditur për shpifje.

Shqiptarja.com ka siguruar aktpadinë e dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, përmes së cilës kërkon dënimin e Berishës dhe deputetëve për shpifje dhe dëmshpërblimin prej rreth 35 mijë eurosh për dëmin e shkaktuar. Vajza e Linda Ramës thotë se është detyruar që të bëjë padi për shpifjet e fabrikuara ndaj saj, duke theksuar se Berisha vijon në mënyrë i ka të herëpashershme të përgojojë emrin e saj në publik.

 “Detyrohem të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të fabrikuar ka kohë ndaj meje që e ka fillesën në muajin gusht të vitit 2016, kur plot 8 vite më parë Sali Berisha më ka akuzuar se kam marrë pjesë dhe kam përfituar tendera publikë. Sipas individit për të cilin kërkoj kontroll gjyqësor, këta tendera i kam përfituar “nëpërmjet subjektit tregtar 51N4E”, që në fakt është një studio arkitekture me qendër në Bruksel. Përgjatë këtyre 8 viteve, Sali Berisha ka vijuar në mënyrë të herëpashershme të përgojojë në publik emrin tim, duke më asociuar arbitrarisht me aktivitete, individë dhe përfitime pa asnjë lidhje me mua”, shkruan Rea Xhillari.

Ajo shpjegon se përse tani e ndërmerr këtë hap duke i adresuar shpifjet në gjykatë.

 “Në këto 8 vite, kam gjykuar që shpifjet publike ndaj meje, të konsumuara nga ana e përgojuesit tim në terrenin politik e publik, nuk meritojnë përfshirjen time. Kjo sepse së pari, nuk kam zgjedhur politikën si fushë të interesit tim dhe nuk jam jo vetëm faktor i drejtëpërdrejtë, po as i tërthortë i debatit politik. Së dyti, sepse Sali Berisha është shpallur “shpifës” me vendim gjykate në shumë raste dhe më është dukur sikur durimi ishte më i arsyeshëm se sa denoncimi i një personazhi që shpifjen e ka natyrë të dytë. Së fundi, sepse ky personazh nuk ka pushuar së shënjestruari, godituri dhe përbalturi nënën time, Linda Ramën, nga momenti që ajo zgjodhi të ishte bashkëshorte e Edi Ramës. Linda, nëna ime, është shembulli im i qytetarisë dhe profesionalizmit, modeli i përkushtimit familjar dhe dinjitetit publik”, shkruan Rea Xhillari.

Madje deputetët e opozitës kishin kërkuar interpelancë me Ramën duke e akuzuar Rea Xhillarin se kishte marrë pjesë dhe përfituar tendera publike, si bashkëpunëtore edhe nëpërmjet subjektit tregtar “I RI” sh.p.k., bashkëthemeluar nga shtetasi Gent Agolli dhe subjekti 51N4E”.

 “Ka përfituar 33 pagesa për kontrata publike në vlerën 1.9 miliard lekë. Ka marrë pjesë dhe përfituar tendera publike, pa figuruar pronare e drejtpërdrejtë, por e lidhur me subjekte tregtare dhe si bashkëpunëtore e tyre, ka përfituar vlera të konsiderueshme monetare prej tyre”, thuhet në akuzat e PD.

Rea Xhillari i hedh poshtë këto akuza.

“Këto deklarime të rreme dhe tejet të rënda nga ana e të paditurve në drejtimin tim, janë një ndërhyrje kriminale në jetën time dhe i shërbejnë qëllimit të denigrimit pa asnjë provë të personit tim. Ato bëhen për të krijuar në publik imazhin e një personi përfitues nga afërsia familjare me kundërshtarin e tyre politik, përmes veprimtarish të cilat nëse do të ishin të vërteta, do të ishin objekt për organet e ndjekjes penale”, sipas Rea Xhillarit.

Për marrëdhënien me kompaninë 51N4E në Belgjikë jep këtë sqarim.

 “Për të kryer Praktikën time Mësimore (apo Stazhin), kam aplikuar në studion e projektimit 51N4E në Belgjikë. Aplikimit tim për t’u pranuar si studente praktikante për një periudhë 9 mujore, kjo studio i është përgjigjur pozitivisht në Shtator të vitit 2011 Nënvizoj se Edi Rama në atë moment nuk mbante asnjë funksion zyrtar ndërsa unë isha thjesht një studente”, tha Rea Xhillari.

Lajm ne perditesim….




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button