Aktualitet dhe Lajme

Afrika e Jugut në zgjedhjet më të rëndësishme që nga aparteidi, opozita pret ndryshim “sizmik”

Share

Afrika e Jugut po pret me ankth rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat pas 30 vitesh mund të rrezikojnë pushtetin e partisë Kongresi Kombëtar Afrikan (KKA). Partia e ish-presidentit të parë me ngjyrë në vend, Nelson Mandela, ka fituar vazhdimisht që nga koha kur i erdhi fundi periudhës së aparteidit.

Të mërkurën miliona banorë të shtetit afrikanojugor iu drejtuan kutive të votimit. Numërimi i votave pritet të përfundojë ditën e diel, sipas Komisionit Zgjedhor.

Përveç KKA-së, partitë kryesore që synojnë poste parlamentare janë Aleanca Demokratike, Luftëtarët për Liri Ekonomike dhe Partia për Liri Inkata. Demokratët kanë dalë të dytët në pesë zgjedhjet e fundit parlamentare. Në garë janë 51 parti gjithsej.

Presidenti Ciril Ramafoza (o. Cyril Ramaphosa) tha pas votimit se ai nuk ka dyshim që KKA-ja e tij do të fitojë sërish me një “shumicë të qartë”.

Kryeopozitari Xhon Stinhajzen (o. John Steenhuisen) u shpreh: “Për herë të parë në 30 vite, kjo është një rrugë fitoreje për opozitën.”

Sondazhet tregojnë se Kongresi Kombëtar Afrikan do fitojë sërish, por për herë të parë mund të tërheqë më pak se 50 për qind të votës popullore. Një rezultat i tillë do e detyronte të kërkonte aleancë me parti të tjera për të formuar qeverinë dhe për të mbajtur pushtetin. Në zgjedhjet e vitit 2019, KKA-ja ra nën 60 për qind të votës popullore për herë të parë.

Partitë opozitare thonë se shpresojnë që zgjedhjet e sivjetme të jenë një pikë kthese për Afrikën e Jugut, aq “sizmike” sa kur Mandela fitoi presidencën në vitin 1994.

Kuvendi Kombëtar që është në zgjedhje do të përcaktojë për qëndrimin ose jo të presidentit Ramafoza. Për herë të parë, afrikanojugorët patën mundësinë të votojnë edhe kandidatë të pavarur, si edhe të plotësojnë tri fletë votimit nga dy më parë, gjë që shkaktoi vonesa në shumë qendra dhe radhë të gjata. /AJNYT


Huazuar nga Javanews.al

Back to top button