
Përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, po shoqërohen me lëvizje në administratën e Bashkisë së Tiranës.
Nga paraburgimi i Fierit, Veliaj ka firmosur shkarkimin e dy drejtuesve të institucioneve në varësi të bashkisë. Bëhet fjalë për Rigers Sheqerin, i cili mbante detyrën e kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), si dhe Zhaneta Beqirin, drejtoreshë e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve në Tiranë. Ndërkohë, në proces largimi nga detyra raportohet se është edhe Elona Lalaj, drejtoreshë e Policisë Bashkiake.
Lëvizjet në administratë vijnë në një moment kur raportet mes Veliajt dhe Ramës janë tensionuar ndjeshëm, ndërsa përplasjet janë bërë gjithnjë e më të dukshme edhe brenda Partisë Socialiste.
Së fundmi, Veliaj ka pretenduar se gjatë qëndrimit në paraburgim është kërcënuar në emër të kryeministrit, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Ky i fundit ka konfirmuar takimin me kryebashkiakun, por ka mohuar t’i ketë përcjellë mesazhe kërcënuese.
Ndërkohë, Rama ka konfirmuar edhe përjashtimin e Plarent Ndrecës nga strukturat e Partisë Socialiste.
Start News
