
Guvernatori në largim i Kalifornisë, Gavin Newsom, i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të shtetit që dënimet me vdekje për 548 të burgosurit që presin ekzekutimin të kthehen në burgim të përjetshëm, pa të drejtë lirimi me kusht.
“Po e ndërmarr këtë veprim sepse besoj fuqimisht se ekzekutimi i urdhëruar nga shteti është i papajtueshëm me vlerat e Kalifornisë, minon themelet e sistemit tonë ligjor dhe na ul të gjithëve”, shkroi Newsom në një letër drejtuar qytetarëve të Kalifornisë, ku shpjegoi vendimin e tij.
Ai shtoi se një sistem ligjor që nuk është i përsosur nuk mund të justifikojë ekzekutimin e njerëzve dhe të pretendojë njëkohësisht se respekton vlerat themelore, mes të cilave drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor.
Newsom ka mundësi të shndërrojë në burgim të përjetshëm rreth 40% të dënimeve me vdekje vetëm me firmën e tij, ndërsa për pjesën tjetër do të nevojitet miratimi i Gjykatës së Lartë, në mënyrë që vendimi të marrë formë përfundimtare.
Vendimi konsiderohet deri diku simbolik, pasi ekzekutimi i fundit në Kaliforni u krye në vitin 2006. Që prej rikthimit të dënimit me vdekje në vitin 1978, vetëm 13 të burgosur janë ekzekutuar.
Një dekadë më parë, votuesit e këtij shteti konfirmuan mbështetjen për dënimin kapital, duke rrëzuar përmes një referendumi një nismë që synonte shfuqizimin e tij.
Newsom dhe kundërshtarë të tjerë të dënimit me vdekje kanë argumentuar prej kohësh se kjo procedurë është e kushtueshme, mizore dhe diskriminuese. Sipas tyre, dënimet me vdekje jepen në mënyrë joproporcionale ndaj të pandehurve që u përkasin pakicave etnike, raporton “Los Angeles Times”.
Lëvizja e guvernatorit vjen në muajt e fundit të mandatit të tij në krye të Kalifornisë. Të martën, demokrati Xavier Becerra u zgjodh me 64% të votave.
Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që Newsom të jetë kandidat i demokratëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Sipas analizës së “Los Angeles Times”, shfuqizimi i dënimeve me vdekje mund ta ndihmojë Newsom në zgjedhjet paraprake brenda Partisë Demokratike në Kaliforni, ku baza e kësaj force politike përbëhet kryesisht nga votues liberalë me bindje të ngjashme.
Megjithatë, kjo nismë mund të ndikojë negativisht në nivel kombëtar, pasi në shkallë vendi një pjesë e konsiderueshme e elektoratit vijon të mbështesë dënimin me vdekje.
starnews.al
