
Polonia është tronditur nga hetimet ndaj 43-vjeçarit Michael P., i akuzuar për vrasjen e të paktën shtatë grave.
Policia nuk përjashton mundësinë që numri i viktimave të jetë edhe më i lartë, ndërsa hetuesit e kanë cilësuar të dyshuarin si një nga vrasësit serialë më të rrezikshëm në historinë e vendit.
Michael P. punonte si hidraulik dhe përmes profesionit të tij, kishte akses në banesat e grave, kryesisht të pambrojtura. Sipas hetimeve, ai vëzhgonte ambientet dhe më pas kthehej me pretekste të ndryshme. Pasi hynte në banesa, dyshohet se i lidhte dhe kërcënonte viktimat, duke i detyruar të tregonin se ku mbanin paratë dhe sendet me vlerë. Më pas, sipas policisë, ai i vriste.
43-vjeçari u arrestua në shkurt të vitit 2025, pasi një punonjës i një qendre telefonike bankare dëgjoi gjatë një telefonate zërat e një gruaje që po mbytej. Gruaja kishte telefonuar për të marrë udhëzime për ndryshimin e PIN-it të kartës së saj bankare.
Telefoni ishte ende i hapur dhe biseda po regjistrohej, duke u mundësuar autoriteteve të ndërhynin. Kur policia mbërriti në banesën e gruas së moshuar, Michael P. u gjet nën ballkonin e shtëpisë.
Sipas hetuesve, ai ishte nën ndikimin e drogës në momentin e arrestimit dhe kishte probleme me varësinë nga bixhozi.
Në telefonin e 43-vjeçarit u gjetën rreth 75 mijë fotografi, disa prej të cilave, sipas hetuesve, lidhen me viktimat e tij.
Një zëdhënës i policisë tha për “Gazeta Wyborcza” se autoritetet po përballen me një rast që mund ta bëjë Michael P. një nga vrasësit serialë më të rëndë në Poloni dhe ndoshta edhe në Evropë.
Policia gjeti gjithashtu në çantën e shpinës së tij doreza, shirit elektrik dhe fasha, të cilat dyshohet se i përdorte për të lidhur viktimat.
Sipas hetimeve, pasi i immobilizonte gratë, ai u kërkonte të tregonin vendndodhjen e parave dhe sendeve me vlerë. Edhe pasi merrte informacionin që kërkonte, ai dyshohet se i vriste viktimat duke i mbytur me qese ose jastëkë, ndërsa ato ishin të lidhura në karrige.
Hetuesit besojnë se në fillim ai ishte më i kujdesshëm në fshehjen e gjurmëve, ndërsa më vonë nisi të linte më shumë prova, përfshirë fashot që u gjetën në duart e viktimave.
Në kuadër të hetimit janë arrestuar edhe dy shtetas ukrainas, të dyshuar se kanë bashkëpunuar me Michael P. në disa prej vrasjeve.
Njëri prej tyre, 33-vjeçari Taras H., ka pranuar pjesëmarrjen, por ka deklaruar se qëllimi i tij ishte vetëm vjedhja dhe se nuk kishte dashur të vriste.
I dyti, Ihor H., i arrestuar në nëntor të vitit të kaluar, mohon çdo përfshirje në ngjarjet për të cilat akuzohet.
starnews.al
