“I ndava nga nëna!”- Vrau bashkëshorten me çekiç dhe trupin e fshehu në papafingo, shqiptari justifikohet para togave të zeza: Isha i tërbuar, i kërkoj ndjesë fëmijëve!

Share

Kujtimet e krimit të rëndë që tronditi opinionin publik në fund të nëntorit 2024 në Athinë u rikthyen këtë të mërkurë në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku nisi gjyqi ndaj 39-vjeçarit shqiptar të akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, 32-vjeçares shqiptare Alba Cenko, nënë e dy fëmijëve.

Sipas aktakuzës, Kastriot Cenko e goditi gruan me çekiç dhe më pas e mbyti duke i shtrënguar në qafë një kabllo karikuesi. Pas krimit, ai e fshehu trupin në papafingon e banesës së tyre, ku qëndroi për rreth një javë.

Gjatë kësaj kohe, dy fëmijët e çiftit, 13 dhe 11 vjeç, vijonin jetën normalisht në shtëpi, ndërsa autori shtirej si i shqetësuar dhe mashtronte si familjarët e viktimës, ashtu edhe fëmijët e tij.

Ai u kishte thënë djemve se “nëna kishte shkuar larg për të siguruar para dhe do të vonohej të kthehej”, ndërsa nga telefoni i viktimës u dërgonte mesazhe familjarëve, duke pretenduar se ajo ishte larguar drejt Italisë.

Në fillim të dhjetorit, 39-vjeçari, me origjinë shqiptare, telefonoi policinë dhe pranoi krimin.

Në seancën e parë, i pandehuri mohoi akuzën për vrasje me paramendim, duke pretenduar se gjithçka ndodhi në gjendje të rënduar psikologjike.

“Jam punëtor ndërtimi. Nuk e pranoj akuzën ashtu siç është formuluar. Isha i tërbuar, jo i qetë mendërisht siç thuhet në aktakuzë, nuk kishte paramendim”, tha ai, duke vijuar: “Gjithçka ndodhi në atë moment. Dua të kërkoj një falje të madhe ndaj fëmijëve të mi që u mora nënën dhe një falje të madhe ndaj familjes së saj”, deklaroi ai para trupit gjykues.

Gjatë hetimeve, ai kishte pretenduar se krimin e kishte kryer pasi kishte zbuluar një lidhje jashtëmartesore të bashkëshortes.

Dëshmia tronditëse e nënës së viktimës

Më pas në bankën e dëshmitarit u ngjit nëna e së ndjerës, e cila u paraqit në mbështetje të akuzës.

“I pandehuri më kishte telefonuar dhe shtirej sikur ishte i shqetësuar për vajzën time. Më tha se kishte marrë valixhen dhe ishte larguar. Mendova mos kishte ikur vërtet për në Shqipëri. E pyeta nipin tim ‘ku është nëna juaj?’ dhe ai më tha ‘nuk e di’”, dëshmoi ajo me ndihmën e një përkthyeseje.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues, ajo theksoi se shumë çifte kanë probleme, por nuk arrijnë deri në krim.

“Nuk duhej të arrinte deri këtu. Vajza ime më thoshte se ishte e mërzitur, se punonte shumë dhe mbante tre punë sepse ai nuk sillte para në shtëpi. Më kishte thënë se nuk ndihej mirë në shtëpi, por jo se kishte ndërmend të linte burrin dhe fëmijët”, tha ajo. Me lot në sy shtoi: “Nuk dua t’i bëjnë asgjë, dua të ma kthejnë vajzën time. A mundet?”.

Një koleg i të pandehurit deklaroi se ai ishte i qetë dhe punëtor, por ditët para ngjarjes dukej i shqetësuar.

“Ishte punëtor dhe rrinte vazhdimisht me fëmijët. Një javë para ngjarjes vinte në punë i menduar. Na thoshte se ajo thjesht ishte larguar nga shtëpia”, u shpreh kolegu i tij.

Ndërsa vëllai i Kastriot Cenkos pretendoi se konflikti kishte lindur pas kërkesës së gruas për ndarje

“E donte shumë gruan dhe fëmijët. E pyeta si ndodhi. Më tha se bashkëshortja i kishte kërkuar ndarje dhe i kishte thënë se do të largohej me një burrë tjetër, duke marrë me vete njërin nga dy fëmijët.

I kishte thënë se do të largohej me mikun e tij të fëmijërisë dhe se do të merrte njërin nga fëmijët, pasi nuk ishte i tij. Ai humbi kontrollin, mori çekiçin dhe e goditi. Më tha se më pas kishte menduar të vetëvritej, por nuk e bëri për shkak të fëmijëve. Qante. Ishte bashkëshort i mirë, baba i mirë dhe vëlla i mirë. Asnjëherë nuk kishte krijuar probleme, as këtu, as në Greqi dhe as në Shqipëri”, ka dëshmuar ai.


Start News

Reklama
Back to top button