
Në një apartament në lagjen Pinares, në Pereira të Kolumbisë, përfundoi arratia e një shtetasi shqiptar të kërkuar nga autoritetet evropiane. Bëhet fjalë për Florind Ramën, i njohur edhe me pseudonimin Florin Terziu, ndaj të cilit ishte lëshuar një kod i kuq i Interpolit për përfshirje të dyshuar në një rast rrëmbimi, torture dhe vrasjeje të ndodhur në vitin 2022 në Marbella të Spanjës.
Në video shihet momenti i arrestimit të tij, ndërsa agjenti i Interpolit i lexon atij akuzat dhe të drejtat.
Në video dëgjohet se i arrestuari deklaron se nuk ka një avokat dhe nuk ka nevojë për një të tillë, ndërsa pranon komunikimin me një familjar.
Kur u ndalua, ai tentoi të identifikohej si shtetas gjerman, por hetuesit kishin tashmë informacion për origjinën e tij shqiptare dhe të kaluarën kriminale në Evropë. U zbulua gjithashtu se përdorte të paktën dy pasaporta për të lëvizur në vende si Mbretëria e Bashkuar, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Gjermania dhe Spanja.
Autoritetet e lidhin atë me struktura kriminale që operojnë në Costa del Sol, një zonë e njohur për praninë e organizatave evropiane të trafikut të drogës. Emri i tij shfaqet në rrjete kriminale që operojnë në disa vende të kontinentit.
Rasti për të cilin kërkohej daton më 30 qershor 2022, në lagjen Golden Beach në Marbela, ku u gjet trupi i Aleksandar K., një shtetas serb me shenja torture dhe plagë nga arma e zjarrit. Hetimi i gjykatës çoi në urdhër-arreste të lëshuara në korrik 2022 dhe nëntor 2023.
Sipas dosjeve gjyqësore në Evropë, viktima kishte lidhje me rrjete të trafikut të drogës dhe kishte bashkëpunuar si informator me autoritetet gjermane. Njohuritë e tij mbi rrjetet kriminale në Evropë dhe lidhjet me organizata në Amerikën Latine e bënin një figurë kyçe në këto struktura.
Në këtë rrjet, Florind Rama lidhet me organizata kriminale me origjinë ballkanike, përfshirë klane që veprojnë në Mal të Zi, Serbi dhe Kroaci, si dhe kontakte në Gjermani. Autoritetet po hetojnë edhe lidhje të mundshme me rrjete të trafikut të drogës në Amerikë.
Start News