
Sipas një raportimi të fundit të publikuar nga “The Sun on Sunday”, bazuar në statistikat më të reja të Ministrise britanike te Drejtësisë, rezulton se mesatarisht rreth pesë shtetas shqiptarë përfundojnë çdo ditë në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.
Për një periudhe njëvjeçare deri në shtatorin e kaluar, rreth 1,865 shqiptarë janë dënuar me burg, duke bërë që ata të përfaqësojnë grupin më të madh të të huajve të burgosur, me afro 9% të një popullsie totale prej mbi 75 mijë të burgosurish.
Sipas analizës së medias britanike, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, 58 shtetas shqiptarë kanë marrë dënime mbi një vit, për vepra penale që përfshijnë trafikun e lëndëve narkotike dhe kontrabandën e emigrantëve. Legjislacioni britanik parashikon që çdo i huaj i dënuar me të paktën 12 muaj burg të përballet automatikisht me deportim pas përfundimit të dënimit. Ndërkohë, qeveria aktuale laburiste po shqyrton ndryshime që do të mundësojnë dëbimin e disa të dënuarve pasi të kenë kryer vetëm një të tretën e dënimit, në vend të gjysmës siç zbatohet sot.
Paralelisht, marrëveshja dypalëshe mes Britanisë dhe Shqipërisë për transferimin e të burgosurve parashikon që shtetasit shqiptarë të dënuar me mbi katër vite burg të rikthehen në Shqipëri për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Një përfaqësues i Ministrisë britanike të Drejtësisë bëri të ditur se që nga korriku i vitit 2024 janë dëbuar mbi 8,700 shtetas të huaj të përfshirë në shkelje ligjore, duke shënuar një rritje prej 32% krahasuar me periudhën e mëparshme.
Start News
