
Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë drejt detit, sipas njoftimeve nga Koreja e Jugut dhe Japonia, ndërsa Tokio bëri të ditur se ka gjasa që bëhet fjalë për një raketë balistike.
Lëshimi ndodhi në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake.
Sipas forcave të armatosura të Koresë së Jugut, raketa u lëshua drejt detit në brigjet lindore të Koresë së Veriut.
Autoritetet ushtarake e bënë të ditur këtë përmes një mesazhi të shkurtër për gazetarët, pa dhënë detaje të mëtejshme. Nga ana tjetër, roja bregdetare e Japonisë njoftoi se raketa duket se ka rënë në det.
Televizioni shtetëror japonez NHK, duke cituar burime nga Ministria e Mbrojtjes, raportoi se raketa ka shumë të ngjarë të ketë rënë jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.
Pesë ditë më parë, Seul dhe Uashington nisën stërvitje të mëdha ushtarake, të cilat sipas tyre kanë karakter thjesht mbrojtës dhe synojnë të testojnë nivelin e gatishmërisë përballë kërcënimeve ushtarake nga Koreja e Veriut.
Megjithatë, Koreja e Veriut – e cila zotëron armë bërthamore – reagoi duke shprehur zemërimin e saj dhe duke kundërshtuar zhvillimin e këtyre stërvitjeve, të cilat i konsideron si “prova të përgjithshme” për një sulm të armatosur kundër saj nga dy aleatët.
Të enjten, kryeministri i Koresë së Jugut u takua në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump, ku diskutuan mënyrat për rifillimin e dialogut me Korenë e Veriut. Ky dialog ka mbetur i pezulluar që prej vitit 2019.
starnews.al
