
Qarkullimi në aksin nacional Librazhd–Pogradec do të rifillojë nesër në orën 12:00, pas përfundimit të punimeve emergjente për stabilizimin e trupit të rrugës në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”. Lajmi u bë i ditur nga Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, i cili siguroi se segmenti është i kalueshëm për të gjitha kategoritë e mjeteve.
Sipas autoriteteve, gjatë ditëve të fundit është punuar me intensitet të lartë për heqjen e masës së dheut të rrëshqitur, forcimin e strukturës mbajtëse të rrugës dhe devijimin e rrjedhës së lumit, me qëllim shmangien e gërryerjeve të mëtejshme.
Segmenti i rehabilituar i është nënshtruar testimeve të vazhdueshme me mjete të tonazhit të rëndë për katër ditë me radhë. Sipas ARRSH-së, nuk është konstatuar asnjë problem teknik apo shenjë paqëndrueshmërie, duke garantuar sigurinë për përdoruesit e rrugës.
Ndërkohë, për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka parashikuar ndërtimin e një bypass-i të ri rreth 1.1 kilometra të gjatë, i cili do të ndërtohet mbi lumin Shkumbin, paralel me linjën hekurudhore ekzistuese. Projekti pritet të zgjasë rreth 60 ditë dhe përfshin volume të konsiderueshme punimesh inxhinierike.
Deri në përfundimin e zgjidhjes afatgjatë, qarkullimi do të vijojë normalisht në segmentin e stabilizuar, duke rikthyer një nga lidhjet kryesore drejt juglindjes së vendit dhe pikave kufitare.
Start News