
Qeveria ka miratuar një kuadër të ri të detajuar për mbrojtjen e lojtarëve nga varësia e lojërave të fatit, përmes një Udhëzimi të Përbashkët të firmosur nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala. Udhëzimi, i botuar në Fletoren Zyrtare, miraton programet e dedikuara për mbrojtjen e lojtarit dhe synon krijimin e një sistemi të strukturuar parandalimi, trajtimi dhe riintegrimi për personat e prekur nga varësia.
Dokumenti mbështetet në ligjin nr. 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” dhe përfshin një bashkëpunim të detyrueshëm ndërinstitucional mes Ministrisë së Financave, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), operatorëve të licencuar dhe institucioneve shëndetësore.
Në thelb të këtij udhëzimi qëndron krijimi i një rubrike të dedikuar online në faqen zyrtare të AMLF-së, ku lojtarët dhe familjarët e tyre do të mund të gjejnë informacion të detajuar mbi shenjat e varësisë, pasojat, mënyrat e vetëpërjashtimit dhe shërbimet e ndihmës. Kjo platformë do të shoqërohet me një linjë telefonike këshillimi dhe me mundësinë e komunikimit përmes chat-it online, duke garantuar anonimitetin dhe konfidencialitetin në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Programet e miratuara ndahen në katër shtylla kryesore. E para lidhet me informimin, parandalimin dhe sensibilizimin, përmes spoteve ndërgjegjësuese në media, rrjete sociale dhe ambiente fizike të operatorëve të lojërave të fatit. Spote që do të miratohen paraprakisht nga AMLF dhe MSHMS, për të garantuar unifikim mesazhi dhe shmangie të çdo elementi që mund të nxisë pjesëmarrjen në lojë apo të keqinformojë mbi rreziqet.
Një element i rëndësishëm është programi i vetëpërjashtimit, i cili forcohet si instrument ligjor për të ndihmuar individët që kërkojnë të ndërpresin aksesin e tyre në lojërat e fatit. Operatorët detyrohen të informojnë qartë për këtë të drejtë dhe ta zbatojnë atë sipas përcaktimeve ligjore.
Shtylla e dytë ka të bëjë me trajtimin dhe këshillimin. Përveç këshillimit telefonik dhe online, udhëzimi parashikon referimin e rasteve pranë strukturave të specializuara të Ministrisë së Shëndetësisë për vlerësim psikologjik, mjekësor dhe social. Në rastet e nevojshme, parashikohet trajtim nga psikologë apo punonjës socialë, si dhe ndjekje e dokumentuar e çdo rasti.
Programi i tretë fokusohet te riintegrimi social. Lojtarëve të prekur nga varësia do t’u ofrohen mundësi për përfshirje në programe sociale, profesionale, kulturore, sportive apo artistike, të ofruara nga institucione shtetërore, bashki, organizata jofitimprurëse apo organizata ndërkombëtare. Qasja synon jo vetëm trajtimin e simptomës, por rikthimin e individit në një funksionim të shëndetshëm social dhe ekonomik.
Ndërkohë, programi i katërt vendos detyrimin për trajnimin e stafit të subjekteve të licencuara. Operatorët duhet të dokumentojnë trajnimet për identifikimin e shenjave të varësisë, komunikimin e përgjegjshëm me klientët dhe njohjen e linjave të ndihmës. Raportimi mbi zbatimin e këtyre programeve do të kryhet çdo 6 muaj pranë AMLF-së.
Roli i institucioneve shëndetësore forcohet ndjeshëm. Parashikohet hartimi i protokolleve të dedikuara shëndetësore dhe psikosociale, zhvillimi i kapaciteteve të mjekëve dhe stafit psikosocial për identifikimin e hershëm të varësisë, si dhe realizimi i studimeve periodike mbi përhapjen dhe faktorët e riskut. Ministria e Shëndetësisë do të përgatisë një raport kombëtar vjetor për parandalimin e varësisë nga lojërat e fatit, me të dhëna statistikore dhe analiza të masave të ndërmarra.
Një risi e rëndësishme është organizimi çdo vit i “Javës Kombëtare të Ndërgjegjësimit për Varësinë nga Lojërat e Fatit”, me aktivitete në shkolla, institucione shëndetësore dhe media, me synim rritjen e ndërgjegjësimit publik.
Udhëzimi vendos gjithashtu detyrime të qarta për operatorët e licencuar që të vendosin në mënyrë të dukshme në ambientet e tyre fizike dhe në faqet online mesazhe për lojë të përgjegjshme, rreziqet reale dhe probabilitetet e fitimit, duke ndaluar çdo element që nxit pjesëmarrjen apo krijon perceptim të gabuar mbi shanset për fitim.
Me hyrjen në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ky udhëzim shënon një hap drejt trajtimit të varësisë nga lojërat e fatit si një çështje jo vetëm rregullatore, por edhe shëndetësore dhe sociale. Për herë të parë, kuadri institucional përfshin një arkitekturë të plotë nga parandalimi, te trajtimi dhe riintegrimi, duke krijuar një model të integruar që lidh financat publike, shëndetësinë dhe përgjegjësinë e operatorëve privatë. /ekofin.al
UDHËZIM I PËRBASHKËT
Nr. 1, datë 12.1.2026
PËR MIRATIMIN E PROGRAMEVE TË
DEDIKUARA PËR MBROJTJEN E
LOJTARIT
Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të
Kushtetutës; të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.
155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e
Shqipërisë”, të ndryshuar; dhe të vendimit të
Komisionit të Licencimit nr. 233, datë 2.10.2024,
“Për hartimin e programeve të dedikuara për
mbrojtjen e lojtarit”,
UDHËZOJMË:
Neni 1
Qëllimi
Ky udhëzim ka për qëllim miratimin e
programeve të dedikuara për mbrojtjen e lojtarit,Faqe|3039
Fletorja Zyrtare duke synuar parandalimin e varësisë nga lojërat e
fatit, mbrojtjen e lojtarit, ofrimin e shërbimeve të
këshillimit dhe riintegrimit, rritjen e ndërgjegjësimit
publik dhe sigurimin e një qasje të përgjegjshme nga
operatorët e licencuar të lojërave të fatit.
Neni 2
Objektivat
Ky udhëzim përcakton:
a) krijimin e një rubrike online pranë Autoritetit të
Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (në vijim “AMLF”),
me qëllim ofrimin e ndihmës, mbështetjes ndaj
lojtarëve të prekur nga varësia e lojërave të fatit;
b) realizimin e spoteve ndërgjegjësuese;
c) vendosjen në dispozicion të një linje telefonike
dhe këshillimit online;
ç) zhvillimin e programeve të riintegrimit;
d) trajnimin e stafit dhe monitorimin e
vazhdueshëm të masave.
Neni 3
Programi 1: Informimi, parandalimi dhe
sensibilizimi
Programi 1: Informimi, parandalimi dhe
sensibilizimi përfshin:
1. Krijimin e një rubrike online në faqen zyrtare të
AMLF-së, me qëllim ofrimin e ndihmës,
mbështetjes dhe këshillimit të çdo lojtari që është i
varur nga lojërat e fatit, ku të jepet informacion i
qartë lidhur me:
a) paralajmërimin për rrezikun dhe varësinë që
krijohet nga përdorimi i lojërave të fatit;
b) udhëzime për mundësinë e vetëpërjashtimit,
sipas përcaktimeve të ligjit nr. 155/2015, “Për lojërat
e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
c) shenjat e varësisë, shkaqet dhe pasojat që vijnë
nga përdorimi i këtyre lojërave të fatit;
ç) informacion për linjat e ndihmës, këshillimit
dhe shërbimet që ofrohen si nga ana e AMLF-së,
ashtu edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe
Mirëqenies Sociale (në vijim “MSHMS”);
d) veprimet që duhen ndërmarrë në momentin e
konstatimit të sjelljes së varësisë, si nga vetë lojtari,
ashtu edhe familjarët e tij;
dh) elemente edukative që nxisin sjellje të
përgjegjshme dhe të kontrolluar.
Faqe|3040
Viti 2026 – Numri 39
2. Publikimi i spoteve ndërgjegjësuese në faqen
zyrtare të AMLF-së dhe të MSHMS-së të
organizatorëve të licencuar të lojërave të fatit, në
median e shkruar, audiovizive, elektronike, si dhe
rrjetet sociale. Këto spote të përmbajnë informacion
ndërgjegjësues mbi varësinë e lojërave të fatit,
shkaqet dhe pasojat e përdorimit të tyre. Me qëllim
unifikimin e përcjelljes së mesazheve në mënyrë të
koordinuar, AMLF-ja dhe MSHMS-ja miratojnë
paraprakisht përpara publikimit, këto spote
ndërgjegjësuese.
3. Programe edukuese/sensibilizuese me të rinjtë
dhe shtresat vulnerabël të shoqërisë, duke pasur
parasysh rrezikun e varësisë së këtyre individëve nga
lojërat e fatit. Këto programe u adresohen kryesisht
të rinjve, si dhe shtresave në nevojë, që kanë
kryesisht probleme ekonomike apo familjare dhe
priren drejt përdorimit të lojërave të fatit, ku t’ju
shpjegohet në mënyrë të qartë varësia që krijohet
nga këto lojëra, si dhe pasojat që vijnë prej tyre.
4. Programe edukuese/sensibilizuese, duke
dhënë informacion për shoqërinë mbi shenjat,
shkaqet, pasojat e varësisë dhe format e ndihmës. Ky
informacion mund të jepet nëpërmjet medias
audiovizive, të shkruar, elektronike, takimeve të
ndryshme që zhvillohen me shoqërinë, përfshirë
këtu edhe takimet online, apo edhe nëpërmjet
shpërndarjes së broshurave, si dhe banerave të
ndryshëm.
5. Programi i vetëpërjashtimit të lojtarit, ku nga
ana e AMLF-së dhe organizatorëve të lojërave të
fatit, duhet t’u shpjegohet të gjithë lojtarëve
mundësia e vetëpërjashtimit, duke iu referuar
përcaktimeve të nenit 6, të ligjit nr. 155/2015, “Për
lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të
ndryshuar.
Neni 4
Programi 2: Trajtimi dhe këshillimi
1. Programi 2: Trajtimi dhe këshillimi synon të
ofrojë këshillimin dhe mbështetjen për çdo lojtar që
është i prekur nga varësia e lojërave të fatit. Ky
program ofrohet edhe për familjarët dhe të afërmit
e personave me varësi, duke i këshilluar për mënyrë
se si mund t’ju ofrojnë ndihmë këtyre personave, me
qëllim parandalimin e kësaj varësie.
2. Ky program përfshin:
2.1 Këshillimin me telefon, ku në faqen zyrtare të
AMLF-së të publikohet numri i telefonit që vihet në
Fletorja Zyrtare dispozicion të çdo lojtari apo të afërmi të tij.
Këshillimi me telefon synon të ofrojë ndihmën, apo
këshillimin e duhur, që i nevojitet çdo lojtari, apo të
afërmi të tij, për të parandaluar varësinë nga lojërat e
fatit, apo minimizimin e pasojave të ardhura tashmë
nga përdorimi i lojërave të fatit. Nuk është e
detyrueshme që lojtari të identifikohet, me qëllim
për të mos u kufizuar nga kjo e drejtë, por edhe në
rast se identifikohet ruhet privatësia dhe
konfidencialiteti në përputhje me legjislacionin në
fuqi.
2.2 Në dispozicion për të komunikuar me këta
lojtarë do të jetë një punonjës i trajnuar i AMLF-së,
për t’u dhënë ndihmën e nevojshme këtyre
personave. Në varësi të problematikave që shfaq
lojtari, apo i afërmi i tij, punonjësi i AMLF-së, në
bashkëpunim me MSHMS-në, apo institucione/
organizata të tjera mund t’u ofrojë këtyre lojtarëve
ndihmë të vazhduar dhe më të specializuar nga një
psikolog apo punonjës social. Në këtë rast, është e
detyrueshme sjellja e kujdesshme dhe
bashkëpunuese që duhet të tregohet ndaj lojtarit dhe
dokumentimi i rastit përkatës.
2.3 Këshillimi online është mundësia që i jepet çdo
lojtari apo të afërmi të tij, që nëpërmjet chat-it online
të ngritur në faqen zyrtare të AMLF-së, t’i ofrohet
mundësia për këshillim, apo ndihmë, me qëllim
parandalimin e varësisë nga lojërat e fatit. Nuk është
e detyrueshme që lojtari të identifikohet, me qëllim
për të mos u kufizuar nga kjo e drejtë, por edhe në
rast se identifikohet ruhet privatësia dhe
konfidencialiteti, në përputhje me legjislacionin në
fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Këshillimi nënkupton sipas rastit ndihmë dhe
mbështetje, lidhur me:
a) paralajmërime të qarta për rrezikun e varësisë;
b) udhëzime për vetëpërjashtimin;
c) informacion për linjat e ndihmës dhe
shërbimet që ofrohen edhe nga MSHMS-ja;
ç) trajtim me psikolog dhe punonjës social;
d) elemente edukative që nxisin sjellje të
përgjegjshme dhe të kontrolluar.
Neni 5
Programi 3: Riintegrimi
Programi 3: Riintegrimi është mundësia që u
ofrohet lojtarëve, me qëllim shkëputjen nga varësia
e lojërave të fatit, nëpërmjet pjesëmarrjes në
programe të ndryshme sociale, profesionale,
Viti 2026 – Numri 39
kulturore, sportive, artistike. Këto programe, të cilat
synojnë riintegrimin në shoqëri të lojtarëve të prekur
nga varësia e lojërave të fatit, mund të ofrohen nga
institucionet përgjegjëse shtetërore të pushtetit
qendror dhe vendor, organizata jofitimprurëse OJF,
si dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Neni 6
Programi 4: Trajnime të stafeve të
subjekteve të licencuara
Programi 4: Trajnimi i stafit të subjekteve të
licencuara përfshin pjesëmarrjen në trajnime të
ndryshme të subjekteve të licencuar të lojërave të
fatit dhe stafit të tyre, dokumentimin e këtyre
trajnimeve, me qëllim njohjen mbi shenjat e varësisë,
pasojat që vijnë nga lojërat e fatit, si dhe
informacionin e nevojshëm për linjat e ndihmës,
këshillimit dhe shërbimet që koordinohen, apo
administrohen si nga ana e AMLF-së, organizatave
dhe, po ashtu, edhe nga MSHMS-ja.
Neni 7
Procedura që zbatohet për
mbështetje/ndihmë
1. Të drejtën për të kërkuar ndihmë/
mbështetje/këshillim, me qëllim parandalimin e
varësisë nga lojërat e fatit, e ka:
a) vetë lojtari, në mënyrë vullnetare;
b) anëtarët e familjes, të afërmit ose kujdestari
ligjor;
c) operatorët e lojërave të fatit, të cilët mund
paraqesin, gjithashtu, kërkesë për kryerjen e
trajnimeve të ndryshme për stafin e tyre;
ç) institucionet arsimore, sociale, ose çdo
strukturë tjetër publike, që gjatë ushtrimit të
funksioneve identifikojnë shenja të varësisë dhe
kërkojnë marrjen e masave sensibilizuese për
parandalimin e kësaj varësie;
d) çdo person tjetër që kërkon mbështetje për një
lojtar, kur disponon informacion për krijimin ose
përshkallëzimin e kësaj varësie ndaj tij.
2. Me paraqitjen e kërkesës për
ndihmë/mbështetje/këshillim, sipas formave të
komunikimit të përmendura si më sipër, AMLF-ja
kryen veprimet, si më poshtë:
a) regjistrimin e rastit;
b) verifikimin e rastit, nëse ky individ vuan nga
varësia e lojërave të fatit;
Faqe|3041
Fletorja Zyrtare c) ofrimin e ndihmës, mbështetjes përmes një
nga programet e referuara në këtë udhëzim;
ç) në rast se individi ka nevojë/kërkon
mbështetje të specializuar nga një psikolog,
punonjës social, ia përcjell zyrtarisht rastin MSHMS-
së, për trajtim të mëtejshëm.
3. MSHMS-ja nëpërmjet koordinatorit, me
marrjen e kërkesës nga AMLF-ja kryen veprimet si
vijon:
a) regjistrimin e rastit;
b) përcjelljen te struktura/personi i specializuar
për vlerësimin psikologjik, për identifikimin e nivelit
të varësisë, gjendjes emocionale, sjelljes dhe
faktorëve të riskut;
c) përcjelljen te struktura/personi i specializuar
për vlerësim mjekësor, nëse është e nevojshme,
veçanërisht në rastet me shenja të ankthit,
depresionit, çrregullimeve të ndryshme të shëndetit
mendor;
ç) përcjelljen te struktura/personi i specializuar
për vlerësimin social, për ndikimin e varësisë në
familje, punësim, në marrëdhëniet sociale.
4. Bazuar në vlerësimet e kryera si më sipër,
MSHMS-ja vendos:
a) ofrimin e një nga programeve të mësipërme;
b) referimin e detyrueshëm për trajtim të
specializuar nga një psikolog apo punonjës social.
5. Në çdo rast, strukturat përgjegjëse në varësi të
MSHMS-së marrim të gjitha masat për sa kanë në
fushë përgjegjësie, apo koordinimin me struktura të
tjera shtetërore ose organizata private, me qëllim
dhënien e plotë të ndihmës së nevojshme për
përmirësimin dhe rehabilitimin e shpejtë dhe të
vazhdueshëm të lojtarit. Masat e ndërmarra nga
MSHMS-ja i raportohen edhe AMLF-së.
Neni 8
Roli dhe detyrat e organizatorëve të lojërave
të fatit
1. Organizatorët e lojërave të fatit janë të detyruar
të vendosin në mënyrë dalluese në ambientet ku
luhen lojëra fati, si dhe në websit-et e tyre zyrtare,
sipas formatit dhe përmbajtjes së miratuar nga
Komisioni i Licencave, informacion në lidhje me
masat mbrojtëse për lojtarët, mesazhe në lidhje me
luajtjen e lojërave të fatit nga lojtarët në mënyrë të
përgjegjshme, rreziqet e mundshme të lojërave të
fatit, shanset reale për të fituar, si dhe informacionin
e nevojshëm për strukturat që ofrojnë ndihmë, në
Faqe|3042
Viti 2026 – Numri 39
lidhje me trajtimin apo këshillimin për lojtarët, apo
familjarët e tyre për varësinë dhe problemet që
shkaktojnë lojërat e fatit.
2. Operatorët janë të detyruar të sigurojnë
publikimin e këtyre programeve apo masave
parandaluese si vijon:
a) në mjediset fizike ku luhen lojërat e fatit (sallat
e lojërave, sportelet e operatorit dhe çdo mjedis
tjetër ku luhen lojëra fati);
b) në mënyrë elektronike/online, përfshirë
platformat e tyre, faqet e internetit dhe rrjetet sociale;
c) në media të tjera.
3. Materialet informuese nuk duhet të përmbajnë
element, që:
a) nxisin pjesëmarrjen në lojë;
b) keqinformojnë lidhur me rrezikun e varësisë;
c) krijojnë perceptim të gabuar mbi probabilitetin
e fitimit.
4. Organizatorët e lojërave të fatit hartojnë dhe
zbatojnë programe të dedikuara për mbrojtjen e
lojtarëve, programe këto të financuara nga buxheti i
tyre, si dhe raportojnë mbi periudha 6-mujore pranë
AMLF-së, lidhur me zbatimin e tyre, ku raportimi
do të përfshijë edhe kërkesat e ardhura për
ndihmë/këshillim nga lojtarët apo të afërmit e tyre,
si dhe masat, ndihma e ofruar nga ana e tyre.
Neni 9
Roli dhe detyrat e institucioneve të kujdesit
shëndetësor
1. Institucionet e kujdesit shëndetësor kanë
përgjegjësinë të forcojnë aftësitë identifikuese,
diagnostikuese dhe trajtuese të stafeve përkatëse, si
dhe të reduktimit të stigmës, duke trajtuar varësinë
nga lojërat e fatit, si një çështje shëndetësore, në
përputhje me të drejtat e njeriut, nëpërmjet:
a) Hartimit të protokolleve shëndetësore dhe
psikosociale të dedikuara për trajtimin e varësisë nga
lojërat e fatit, të shoqëruar me instrumentet e
nevojshme të vlerësimit;
b) Zhvillimit të kapaciteteve të ofruesve të
shërbimeve të kujdesit shëndetësor (për mjekët,
infermierët dhe stafet psikosociale) për njohjen e
shenjave të hershme të varësisë, faktorëve të riskut,
teknikat e komunikimit empatik, rrugët e referimit
dhe trajtimit, në zbatim të protokolleve të
përditësuara;
Fletorja Zyrtare c) Bashkëpunimit me shërbimet sociale
rehabilituese në komunitet me fokus individin me
varësi nga lojërat e fatit, si dhe familjen e tij;
ç) Realizojnë studime periodike mbi përhapjen,
faktorët e rrezikut dhe pasojat e varësisë nga lojërat
e fatit, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e
institucioneve të tjera, si ato arsimore, sociale dhe
organet e zbatimit të ligjit, me qëllim sigurimin e një
baze të plotë të dhënash për hartimin e ndërhyrjeve
efektive në këtë fushë.
2. Institucionet e kujdesit shëndetësor raportojnë
çdo 6-muaj mbi masat e marra dhe rezultatet e
arritura pranë MSHMS-së dhe AMLF-së.
Neni 10
Roli dhe detyrat e Autoritetit të Mbikëqyrjes
së Lojërave të Fatit
1. AMLF-ja cakton koordinatorin për ndjekjen
dhe zbatimin e këtij udhëzimi dhe koordinimin dhe
mbajtjen e komunikimit ndërinstitucional, me qëllim
sigurimin e ndihmës përmes strukturave përkatëse
dhe adresimin e rasteve pranë MSHMS-së për
mbrojtjen e lojtarëve.
2. AMLF-ja, në çdo rast mban një regjistër, ku
dokumentohen të gjitha kërkesat e ardhura për
ndihmë, si nga lojtari apo të afërmit e tij, si dhe
ndihma/këshillimi ofruar.
3. AMLF-ja ka detyrimin për të marrë pjesë në
trajnime të ndryshme që ofrohen nga institucione të
ndryshme, me qëllim ofrimin e ndihmës/këshillimit
të duhur për të parandaluar këtë varësi.
4. AMLF-ja ofron ose koordinon me të tretët
trajnime të ndryshme për subjektet e licencuara të
lojërave të fatit, ose lojtarët që kërkojnë të
informohen rreth kësaj varësie që shkaktohet nga
përdorimi i lojërave të fatit.
5. Në çdo rast AMLF-ja, bashkëpunon me
MSHMS-në, si dhe institucionet e ndryshme
shtetërore dhe organizatat e ndryshme
ndërkombëtare apo jofitimprurëse (OJF).
Neni 11
Roli dhe detyrat e Ministrisë së Financave
Ministria e Financave inicion, sipas rastit, çdo
ndryshim të këtij udhëzimi për shtimin,
përditësimin, apo plotësimin me programeve të reja
të dedikuara për mbrojtjen e lojtarit, të miratuara
paraprakisht nga Komisioni i Licencimit, me qëllim
Viti 2026 – Numri 39
bashkëpunimin dhe ndërveprimin ndërinstitucional,
organizatave, lojtarëve dhe organizatorëve të
lojërave të fatit për sigurimin e një mbrojtje sa më të
lartë për lojtarët që kanë varësi nga lojërat e fatit.
Neni 12
Roli dhe detyrat e Ministrisë së
Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
1. MSHMS-ja cakton një koordinator si person
përgjegjës që koordinon veprimet dhe masat me
institucionet dhe organizatat për zbatimin e
programeve të dedikuara të mbrojtjes së lojtarëve.
2. MSHMS-ja, në bashkëpunim me institucionet
e tjera përgjegjëse organizon çdo vit “Javën
Kombëtare të Ndërgjegjësimit për Varësinë nga
Lojërat e Fatit”, me aktivitete në institucionet
shëndetësore, shërbimet sociale, shkolla, media dhe
platforma sociale, me synim informimin dhe
edukimin e publikut mbi rreziqet e varësisë.
3. MSHMS-ja ka të drejtën të paraqesë kërkesë
për mbështetje me projekte nga Këshilli i
Mbështetjes së Projekteve, për të përfituar programe
me fokus mbështetjen sociale të lojtarit dhe
rehabilitimin, riintegrimin e tij në shoqëri, në
përputhje me kriteret dhe procedurat e legjislacionit
në fuqi për lojërat e fatit.
4. Të gjitha institucionet përgjegjëse për
mbrojtjen sociale në varësi të MSHMS-së, kanë për
detyrë që në kuadër të funksionimit të tyre të
zbatojnë ndërhyrje ndërgjegjësuese dhe
sensibilizuese për parandalimin e varësisë nga lojërat
e fatit dhe të promovojnë kërkimin e ndihmës për të
trajtuar këtë varësi.
5. MSHMS-ja, nëpërmjet koordinatorit, mban
komunikimin institucional me strukturat përgjegjëse
të bashkive për adresimin, shkëmbimin e
informacionit për gjendjen e lojtarit dhe zbatimin e
programeve të dedikuara, në zbatim të këtij
udhëzimi.
6. MSHMS-ja, bazuar në raportimin e kryer nga
institucionet përgjegjëse, përgatit raportin kombëtar
vjetor për parandalimin e varësisë së lojërave të fatit.
Raportet përfshijnë të dhëna statistikore, numrin e
rasteve të identifikuara, aktivitetet ndërgjegjësuese
dhe masat rehabilituese të ndërmarra.
Faqe|3043
Fletorja Zyrtare Neni 13
Dispozita të fundit
Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi
ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe
mirëqenien sociale, ministria përgjegjëse për
financat, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të
Fatit, operatorët e licencuar të lojërave të fatit,
institucionet e kujdesit shëndetësor, lojtarët që janë
të prekur nga varësia e lojërave të fatit, bashkitë dhe
strukturat pranë tyre, brenda kompetencave të tyre
administrative, si dhe organizatat apo subjektet e
tjera që synojnë sensibilizimin dhe mbështetjen e
lojtarëve për të parandaluar varësinë nga lojërat e
fatit.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren
Zyrtare.
MINISTRI I FINANCAVE
Petrit Malaj
MINISTRI I SHËNDETËSISË DHE
MIRËQENIES SOCIALE
Start News
