“Motra ime është sëmurë”- Zbulohet telefonata në qendrën e emergjencës! I riu i familjes Kola dha adresën gabim, ambulanca shkoi dy orë me vonesë

Share

Një gabim në adresë dhe një rrjedhje e padukshme monoksidi karboni (gaz helmues) çuan në tragjedinë e rëndë që tronditi komunitetin e Porcarit, pranë Luccës në Itali. Katër anëtarë të familjes shqiptare Kola u gjetën pa jetë në banesën e tyre, pasi u helmuan nga gazi që doli nga kaldaja e shtëpisë.

Ishte pothuajse ora 20:00 e mbrëmjes të së mërkurës kur në qendrën e emergjencës 112 të Toskanës mbërriti një telefonatë e dëshpëruar. “Motra ime është sëmurë, nuk dimë çfarë ka”, tha 22-vjeçari Hajdar Kola, raportojnë mediat italiane.

Numri i gabuar i shtëpisë

Po sipas raportimeve të mediave lokale vendase banesa e familjes Kola ndodhej në Rughi, një zonë e komunës së Porcarit.

Në dhomën e saj ishte motra 15-vjeçare, Xhesika, e ulur në shtrat dhe pa ndjenja. Me të ndodheshin edhe prindërit, Arti dhe Jonida, 48 dhe 43 vjeç.

Gjatë telefonatës, situata u përkeqësua në mënyrë dramatike. Operatorja dëgjoi fillimisht prindërit që humbën ndjenjat dhe më pas edhe vetë Hajdari u rrëzua në tokë. Para se të fikej telefoni, ai arriti të jepte adresën: Rruga Galgani, numri 168. Por ishte një numër i gabuar.

Sipas hetimeve, i riu,  nën efektet e monoksidit të karbonit  kishte ngatërrur dy shifrat e fundit. Numri i saktë ishte 186.

Ambulanca dy ore me vonesë

Ambulanca mbërriti shumë shpejt, por për një kohë të gjatë nuk arriti të gjente banesën. Ekipi kontrolloi shtëpitë përreth, kërkoi sqarime të tjera nga 112 dhe tentoi edhe lokalizonte edhe telefonatën, pa rezultat. U përfshinë edhe karabinierët, të cilët përmes numrit të celularit arritën të identifikojnë familjen.

Vetëm rreth orës 21:45, gati dy orë pas thirrjes së parë, forcat e rendit hynë në apartament së bashku me xhaxhain e familjes dhe dy fqinjë.

Polica dhe emergjenca i gjeten e vdekur

Pamja ishte dramatike. Në katin e parë, tavolina ishte shtruar për darkë. Në katin e dytë, në dhomën e Xhesikës, u gjetën trupat e pajetë të anëtarëve të familjes.

Menjëherë pas zbulimit, disa nga shpëtimtarët dhe personat që hynë në banesë filluan të ndihen keq, me marramendje dhe vështirësi në frymëmarrje, duke u dërguar në spital. Më rëndë u paraqit xhaxhai, Durim Kola, i cili kaloi natën në spital.

“U përpoqa, por nuk munda t’i shpëtoja”, tha ai mes lotësh pasi u kthye në shtëpi, ku dhjetëra miq ishin mbledhur për zi. Edhe gjyshja e fëmijëve pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore sapo mori lajmin.

Familja prej 5 vitesh ne Itali

Familja Kola kishte rreth pesë vjet që jetonte në Itali. Pas një periudhe pune në Greqi, kryefamiljari kishte gjetur punë në Toskanë dhe ishte ribashkuar me familjen në zonën e industrisë së letrës në Lucchesia, ku jeton një komunitet i madh shqiptar. Arti punonte si bojaxhi, ndërsa Hajdari ishte elektroteknik. Xhesika ishte nxënëse e klasës së tretë të shkollës së mesme të ulët. Prej vetëm pesë muajsh familja ishte zhvendosur në shtëpinë e re në rrugën Galgani, të cilën e kishin blerë së fundmi. Punimet e rikonstruksionit ende nuk kishin përfunduar.

Hetimet 

Prokuroria e Luccës ka sekuestruar apartamentin dhe ka nisur hetimet. Ekspertët e zjarrfikësve po hetojnë nëse defekti lidhet me montimin e boljerit, mirëmbajtjen apo sistemin e shkarkimit dhe nëse instalimi është kryer nga vetë familja apo nga teknikë të jashtëm.

Zi ne komunitet

E gjithë komuna e Porcarit është tronditur nga ngjarja. Kryetari i bashkisë, Leonardo Fornaciari, e cilësoi atë “një plagë të thellë për gjithë komunitetin”, duke kujtuar edhe një tragjedi të ngjashme të ndodhur në vitin 1992. Dhimbje e madhe edhe në shkollën ku studionte Xhesika. Drejtoresha e institutit Camogliano e përshkroi atë si “një vajzë plot jetë dhe energji intelektuale”. Shokët e klasës kanë nisur të mbledhin shkrimet e saj; mes tyre janë gjetur poezi për lirinë dhe paqen.


Start News

Reklama
Back to top button