
SHPALLJE PËR POZICIONIN E ZËVËNDËSDREJTORIT, NË BYRONË KOMBËTARE TË HETIMIT
Në zbatim të nenit 31 e nenit 36 të Ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, i ndryshuar, Byroja Kombëtare e Hetimit shpall procedurat për përzgjedhjen e pozicionit:
Zëvendësdrejtor , në Byronë Kombëtare të Hetimit – Kategoria 80% e G 3.
Pozicioni më sipër, u ofrohet Hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Afati për dorëzimin e Dokumenteve: Deri në datën 22.01.2026
PËRSHKRIMI I PUNËS PËR POZICIONIN:
a. Zëvendësdrejtori është përgjegjës për funksionimin e Shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit;
b. Zëvendësdrejtori është përgjegjës për funksionimin e vazhdueshëm të Byrosë Kombëtare të Hetimit gjatë çdo mungese të Drejtorit të BKH-së;
c. Zëvendësdrejtori është hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit;
d. Zëvendësdrejtori raporton te Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit;
e. Zëvendësdrejtori ka për detyrë menaxhimin, organizimin, menaxhimin e burimeve njerëzore, hartimin e politikave të punës për Shërbimet e Policisë Gjyqësore, të përbëra nga oficerë të Policisë Gjyqësore, nga Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera përkatëse, të cilat i ka nën drejtimin administrativ.
f. Asiston Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit për çështjet që kanë lidhje me funksionimin e BKH-së;
g. Organizon, drejton e kontrollon veprimtarinë e punonjësve sipas fushës së përgjegjësisë, duke u udhëhequr nga fryma e bashkëpunimit, mirëbesimit dhe respektit reciprok;
h. Planifikon dhe koordinon punën për hartimin e procedurave të nevojshme për përmbushjen e përgjegjësive;
i. Kryen studime dhe analiza te ndryshme me qëllim përmirësimin e akteve normative që normojnë punën e shërbimeve të Policisë Gjyqësore, në BKH;
j. Planifikon kontrolle për personelin sipas fushës së përgjegjësisë;
k. Planifikon nevojat për aftësimin profesional të personelit sipas fushës së përgjegjësisë;
l. Përcakton kërkesat për bazën materialo-teknike për krijimin e kushteve për realizimin e detyrave e objektivave;
m. Kur konstaton ose merr informacion për shkeljet e kryera nga varësit, fillon procedurat për ecurinë disiplinore, sipas rregullores së disiplinës, si dhe merr masa për pengimin e ardhjes së pasojave nga këto shkelje;
n. Kryeson grupe pune, ose merr pjesë në grupe pune, në rastet kur caktohet nga Drejtori dhe monitoron e raporton në kohë për realizimin e detyrave dhe objektivave të planifikuara;
o. Konsultohet dhe ndihmon varësit për realizimin e detyrave të tyre;
p. Vlerëson në mënyrë periodike performancën e punonjësve në varësi, apo sa herë që kërkohet për çështje të ndryshme të punës e karrierës së tyre;
q. Harton informacione e ndjek korrespondenca për çështje që lidhen me veprimtarinë e Shërbimeve të Policisë Gjyqësore;
r. Harton Memo informuese për Drejtorin e BKH-së lidhur me problemet që lindin gjatë procesit të punës.
1.1 KRITERET PËR POZICIONIN
Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret si vijon:
a. Të jenë hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit;
b. Të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
c. Të kenë të paktën vlerësimin e fundit “mirë” apo “shume mirë” (të vërtetuar me formularin e vlerësimit individual të punës);
d. Të ketë të paktën 3 vjet eksperiencë pune në hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda, si dhe duhet të ketë treguar aftësi drejtuese;
e. Të ketë integritet të lartë;
f. Të ketë njohuri në fushën e menaxhimit dhe planifikimit organizativ, menaxhimit të burimeve njerëzore, etj;
g. Të ketë aftësi shumë të mira në komunikim, punën në grup, ndërveprim dhe në marrëdhëniet ndërinstitucionale;
h. Të ketë njohuri shumë të mira në të folur dhe të shkruar të gjuhës angleze, (element që do të merret në konsideratë gjatë procesit të vlerësimit).
1.2 DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT
Kandidatët që do aplikojnë për Zëvendësdrejtor në Byronë Kombëtare të Hetimit duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë dokumentet si më poshtë:
a. Kërkesë për aplikim;
b. Një platformë mbi kuptimin e funksionit të Zëvendësdrejtorit, rolit në fushën e menaxhimit, menaxhimit të burimeve njerëzore, komunikimit, punës në grup, ndërveprimit dhe marrëdhënieve ndërinstitucionale ;
c. Jetëshkrimi ;
d. Vlerësimin e fundit nga eprori direkt;
e. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimim shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj.
f. Certifikatë mbi njohurit e gjuhës angleze.
Dokumentet duhet të dorëzohen fizikisht në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, në Byronë Kombëtare të Hetimit deri në datën 22.01.2026.
1.3 MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE
a. Përzgjedhja do të bëhet nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
b. Për secilin kandidat krijohet dosje e cila përmban të gjitha dokumentet e prezantuara nga kandidati. Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Dokumentacionit janë përgjegjës për formimin dhe mbajtjen e dosjes ku sigurojnë kompletimin dhe përditësimin e saj deri në momentin e përmbylljes përfundimtare të procesit të përzgjedhjes së zëvendësdrejtorit.
c. Vlerësimi i përzgjedhjes së kandidatit për Zëvendësdrejtor, bëhet përmes verifikimit të dokumentacionit të dorëzuara nga kandidati, plotësimit të kritereve, të dhënave nga Prokurorët e Posaçëm (vlerësimi i punës dhe performancës) dhe eprorët e drejtpërdrejt, sigurimit të të dhënave për masat eventuale disiplinore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
1.4 REZULTATET PAS VERIFIKIMIT
Kandidati që plotëson kriteret dhe përzgjidhet do të njoftohet zyrtarisht nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Dokumentacionit në BKH.
Kandidatët që nuk i plotësojnë kriteret do të njoftohen individualisht nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore, në BKH, nëpërmjet adresës së e-mail.
Start News
