
Nga vendlindja e Skënderbeut drejt Akademisë së FBI-së: dibrani Eduart Kaloshi nderon Shqipërin
Hetuesi i SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, u diplomua këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së, një nga institucionet më prestigjioze të trajnimit për zbatimin e ligjit në nivel global. Lajmi u bë i ditur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, e cila përgëzoi Kaloshin për këtë arritje të rëndësishme profesionale.
Sipas Ambasadës Amerikane, diplomimi i hetuesit shqiptar në këtë akademi elitare do të kontribuojë drejtpërdrejt në forcimin e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe SPAK, si dhe në rritjen e kapaciteteve hetimore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
“Çuarja përpara e bashkëpunimit në zbatimin e ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë fillon me ofrimin e trajnimeve të nivelit më të lartë për oficerët më të përkushtuar shqiptarë. Ne përgëzojmë hetuesin e SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, për diplomimin e tij në Akademinë Kombëtare të FBI-së”, thuhet në reagimin zyrtar të Ambasadës.
Eduart Kaloshi është nga fshati Sinë i Dibrës, trevë e njohur në traditën historike shqiptare si vendlindja e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky fakt i jep një simbolikë të veçantë suksesit të tij, duke e lidhur trashëgiminë historike të qëndresës dhe burrërisë me përkushtimin modern ndaj drejtësisë dhe shtetit ligjor.
Ambasada Amerikane thekson më tej se Kaloshi i bashkohet grupit të ish-studentëve ndërkombëtarë të FBI-së, duke sjellë ekspertizë të re dhe aftësi profesionale që do të forcojnë përpjekjet e SPAK në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
Diplomimi i hetuesit dibran konsiderohet jo vetëm një sukses personal, por edhe një arritje për institucionet shqiptare të drejtësisë, duke dëshmuar se Shqipëria po investon në kuadro të kualifikuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.