FMN: Shqipëria përparime në konsolidimin fiskal por Paqja Fiskale cënon sistemin tatimor. Ndryshimi i buxhetit me akt normativ redukton transparencën dhe kontrollin parlamentar

Share

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në konsolidimin fiskal dhe në forcimin e stabilitetit makroekonomik, por paralajmëron se disa nisma të reja politike rrezikojnë të zhbëjnë një pjesë të këtyre arritjeve. Në raportin e tij për Konsultimin e Nenit IV pas misionit në nëntor 2025, FMN thekson se forcimi i mëtejshëm i administrimit tatimor – përmes kontrolleve të bazuara në risk, integrimit të të dhënave dhe përdorimit të teknologjisë – është thelbësor për të siguruar realizimin e plotë të të ardhurave të parashikuara në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave (MTRS).

Në këtë kontekst, FMN shpreh shqetësim të veçantë për marrëveshjen e ashtuquajtur “Paqja Fiskale”, e miratuar nga Kuvendi, e cila parashikon: faljen ose shlyerjen me kushte të detyrimeve tatimore dhe doganore, përfshirë gjobat dhe interesat; një marrëveshje vullnetare për paracaktimin e fitimit të tatueshëm dhe pezullimin e kontrolleve tatimore gjatë periudhës së marrëveshjes; rivlerësimin e pasqyrave financiare të mëparshme me një normë preferenciale uniforme prej 5 për qind.

Sipas FMN-së, këto masa rrezikojnë të dëmtojnë ndjeshëm kulturën e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, duke cenuar përparimin e Shqipërisë drejt një sistemi tatimor modern, të drejtë dhe të barabartë. Për më tepër, ato ngrenë shqetësime serioze në lidhje me funksionimin e sistemit të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT), pasi mund të lehtësojnë futjen në sistemin financiar formal të fondeve apo aseteve me origjinë të paqartë, që më parë nuk kanë qenë të deklaruara.

FMN: Falja e borxheve të integrohet në legjislacion të përhershëm

Në vend të nismave ad-hoc, FMN rekomandon që çdo lehtësim i borxheve tatimore të inkorporohet në legjislacion të përhershëm, me rregulla të qarta, transparente dhe të harmonizuara me standardet ndërkombëtare për fshirjen e detyrimeve. Në plan afatgjatë, përmirësimi i qeverisjes, forcimi i shtetit ligjor dhe reduktimi i informalitetit do të ishin mënyra më efektive për rritjen e qëndrueshme të të ardhurave buxhetore.

Raporti thekson se Shqipëria tashmë ka përfituar nga një performancë e fortë e të ardhurave dhe nga disiplinimi fiskal, duke ulur borxhin publik në rreth 54.5 për qind të PBB-së në vitin 2024, me projeksione për rënie nën 50 për qind deri në vitin 2030. Megjithatë, FMN paralajmëron se presionet afatmesme dhe afatgjata mbi shpenzimet publike – veçanërisht nga mbrojtja, pensionet, shëndetësia dhe ndryshimet demografike – kërkojnë politika të kujdesshme dhe të qëndrueshme fiskale.

Praktikat buxhetore: FMN kërkon më shumë transparencë parlamentare

Një tjetër pikë kritike e raportit lidhet me praktikat e rishikimit të buxhetit. FMN rekomandon që ndryshimet buxhetore të kalojnë përmes procesit të rregullt legjislativ, dhe jo përmes akteve normative, të cilat reduktojnë transparencën dhe e bëjnë planifikimin fiskal më pak të parashikueshëm. Sipas FMN-së, kjo praktikë dobëson kontrollin parlamentar dhe ul besueshmërinë e kuadrit fiskal në afat të mesëm.

Investimet publike dhe PPP-të: nevojë për cikël të unifikuar dhe kontroll më të fortë

Raporti i FMN-së ndalet gjerësisht edhe te menaxhimi i investimeve publike (PIM) dhe mbikëqyrja e partneriteteve publike-private (PPP). FMN rekomandon rikthimin e një cikli të unifikuar projektesh, me studime fizibiliteti të detyrueshme, prioritizim të qartë dhe kontroll të angazhimeve shumëvjeçare. Vendimmarrja duhet të harmonizohet mes projekteve tradicionale dhe PPP-ve, me Ministrinë e Financave si koordinator qendror i të gjithë ciklit të investimit publik.

Veçanërisht kritike konsiderohet praktika e propozimeve të pakërkuara, të cilat përbëjnë rreth 80 për qind të portofolit aktual të PPP-ve. FMN rekomandon eliminimin e tyre dhe thjeshtimin e strukturave të qeverisjes për të shmangur fragmentimin institucional dhe rreziqet fiskale të fshehura.

Në këtë kuadër, FMN sugjeron realizimin e një Climate-PIMA (C-PIMA) për të vlerësuar progresin që nga vlerësimi i fundit i vitit 2016 dhe për të forcuar më tej axhendën e investimeve publike, veçanërisht në kushtet e rritjes së nevojave për investime të lidhura me klimën.

Mesazh i qartë për politikëbërësit

Në përfundim, FMN e sheh Shqipërinë në një “moment kyç”, me rritje të fortë ekonomike dhe perspektivë pozitive për integrimin europian, por paralajmëron se zgjidhjet afatshkurtra fiskale dhe devijimet nga praktikat e mira të qeverisjes mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë e arritur me vështirësi gjatë viteve të fundit. Mesazhi për politikëbërësit është i qartë: forcimi i administrimit tatimor, transparenca buxhetore dhe qeverisja e mirë mbeten shtyllat kryesore për një rritje të qëndrueshme dhe të drejtë ekonomike. /ekofin.al


Start News

Reklama
Back to top button