SHBA rrit presionin ndaj Venezuelës, Sekuestrimi i cisternave të naftës rrezikon të mbysë ekonominë

Share

Operacionet e përsëritura ushtarake të Shteteve të Bashkuara kundër anijeve që transportojnë naftë venezueliane po rrisin ndjeshëm tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit, duke kërcënuar seriozisht ekonominë tashmë të brishtë të Venezuelës.

Qeveria e presidentit Nicolas Maduro akuzon SHBA-në për “pirateri”, ndërsa retorika politike përshkallëzohet me deklarata të drejtpërdrejta nga presidenti amerikan Donald Trump se ditët e Maduros janë “të numëruara”.

SHBA-të kanë dislokuar një flotë anijesh luftarake, nëndetësesh dhe avionësh ushtarakë në Karaibe, në kuadër të një operacioni që zyrtarisht synon luftimin e trafikut të drogës. Megjithatë, operacioni tashmë përfshin edhe ndalimin dhe sekuestrimin e cisternave që transportojnë naftë bruto nga Venezuela.

Trump ka deklaruar së fundmi se nuk e përjashton mundësinë e një përplasjeje ushtarake me Venezuelën. “Maduro e di saktësisht se çfarë dua unë. Ai e di më mirë se kushdo,” tha presidenti amerikan për NBC News, duke lënë të hapur interpretimet për qëllimet strategjike të Uashingtonit.

Nafta venezueliane dhe interesi amerikan

Nga vitet 1920 deri në shtetëzimin e industrisë së naftës në vitin 1976, ishin kompanitë amerikane ato që shfrytëzonin burimet e mëdha energjetike të Venezuelës. Shumë rafineri në SHBA janë ndërtuar posaçërisht për përpunimin e naftës së rëndë venezueliane.

Sot, Chevron është e vetmja kompani amerikane e lejuar të furnizojë tregun amerikan me naftë nga Venezuela, për shkak të embargos së vendosur nga vetë Trump në vitin 2019. Sasia e eksportuar përmes Chevron vlerësohet në pak më shumë se 200 mijë fuçi në ditë dhe, në teori, cisternat e saj janë të mbrojtura nga sanksionet dhe operacionet ushtarake amerikane.

Sekuestrimet dhe pasiguria në det

Më 10 dhjetor, cisterna e parë e madhe e sekuestruar, “Skipper”, u dërgua në një port amerikan dhe ngarkesa e saj prej rreth 1.9 milion fuçish naftë bruto u konfiskua. Presidenti Maduro e cilësoi veprimin si “pirateri” të hapur nga ana e SHBA-së. Fati i cisternës së dytë, “Centuries”, mbetet i paqartë, ndërsa dje Roja Bregdetare amerikane po ndiqte një anije të tretë.

Trump ka urdhëruar një “bllokadë të plotë” të anijeve të sanksionuara, por analistët theksojnë se formulimi i masës është i paqartë dhe mund të interpretohet si i zbatueshëm për pothuajse çdo cisternë që transporton naftë venezueliane, me përjashtim të atyre të Chevron. Sipas ekspertëve, një nga cisternat e ndaluara nuk ishte as në listën e zezë të SHBA-së, ndërsa anija e ndjekur së fundmi, e identifikuar si “Bella 1”, është nën sanksione që nga viti 2024 për lidhje të dyshuara me Iranin dhe Hezbollahun.

Pasoja ekonomike dhe gjeopolitike

Venezuela prodhon rreth një milion fuçi naftë në ditë, nga të cilat afërsisht 500 mijë eksportohen në tregun e zi, kryesisht drejt Azisë. Ndërsa kompania shtetërore PdVSA këmbëngul se eksportet po vazhdojnë, ekspertët paralajmërojnë se një bllokadë reale do ta ndalonte shpejt prodhimin, ashtu si gjatë grevës së madhe të vitit 2002.

Sipas konsulentit Juan Sambo, ish-president i PdVSA-s, kjo politikë rrezikon të rrisë ndjeshëm kostot e transportit detar dhe të largojë kompanitë ndërkombëtare. Ai vlerëson se eksportet e naftës mund të bien deri në 45% brenda katër muajve, duke sjellë pasoja të rënda për financat publike.

“Të ardhurat neto mujore të Venezuelës mund të bien në nivele shumë të ulëta, rezervat valutore do të tkurren ndjeshëm, importet do të reduktohen dhe zhvlerësimi i bolivarit do të përshpejtohet, duke e bërë jetën edhe më të shtrenjtë,” paralajmëroi Sambo.

Në planin gjeopolitik, ekspertët theksojnë se përplasja nuk ka të bëjë vetëm me naftën. Sipas profesorit Carlos Mendoza Potella, qëllimi i Trump është të mbajë kontinentin amerikan nën ndikimin e Uashingtonit, në një kontekst rivaliteti global me Kinën dhe Rusinë.

Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të diskutojë krizën në një mbledhje të martën, ndërsa në Venezuelë mbizotëron frika se vendi mund të përballet me një izolim edhe më të thellë ekonomik, në prag të një krize që rrezikon të rikthejë vitet më të errëta të dekadës së fundit.




starnews.al

Reklama
Back to top button