Përcaktohen kriteret, ja kujt do t’i jepet Medalja e Shërbimit Ushtarak

Share

Në një vendim të Këshillit të Ministrave sot, 3 dhjetor, janë përcaktuar edhe kriteret për dhënien e Medaljes së Shërbimit Ushtarak.

Që një punonjës ushtarak apo civil i Forcave të Armatosura ta fitojë një medaljke të tillë, duhet mbi të gjitha të gjetë dalluar për përkushtimin dhe kontributin në shërbim të interesave kombëtare.

Po ashtu, duhet të ketë kryer me përgjegjësi të lartë detyrat, të mos ketë masa disiplinore dhe të ketë kontribuuar për një kohëzgjatje shërbimi në Forcat e Armatosura.

Në raste të veçanta, kur evidentohen kontribute të jashtëzakonshme dhe të argumentuara, dhënia e njërës prej shkallëve të medaljes së shërbimit ushtarak bëhet edhe pa plotësuar kriteret e kohëzgjatjes së shërbimit në Forcat e Armatosura, të parashikuara.

Vendimi

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 16, të ligjit nr.93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e kritereve, sipas këtij vendimi, për dhënien e medaljes së shërbimit ushtarak, me qëllim njohjen e përkushtimit e të kontributit në shërbim të interesave kombëtarë dhe kryerjen me përgjegjësi të lartë të detyrave.

2. Për përfitimin e medaljes së shërbimit ushtarak, personeli ushtarak e civil i Forcave të Armatosura duhet të plotësojë të gjitha kriteret e mëposhtme:

a) Të jetë dalluar për përkushtimin dhe kontributin në shërbim të interesave kombëtarë;

b) Të ketë kryer me përgjegjësi të lartë detyrat;

c) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi apo të mos ketë marrë më parë masë disiplinore për shkelje të rëndë gjatë viteve të punës në Forcat e Armatosura;

ç) Të ketë kontribuuar për një kohëzgjatje shërbimi në Forcat e Armatosura:

i. jo më pak se 20 (njëzet) vjet për përfitimin e medaljes së artë të shërbimit ushtarak;

ii. jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet për përfitimin e medaljes së argjendtë të shërbimit ushtarak;

iii. mbi 5 (pesë) vjet për përfitimin e medaljes së bronztë të shërbimit ushtarak.

3. Në raste të veçanta, kur evidentohen kontribute të jashtëzakonshme dhe të argumentuara, dhënia e njërës prej shkallëve të medaljes së shërbimit ushtarak bëhet edhe pa plotësuar kriteret e kohëzgjatjes së shërbimit në Forcat e Armatosura, të parashikuara në shkronjën “ç”, të pikës 2, të këtij vendimi.

4. Për përfitimin e medaljes së shërbimit ushtarak, ushtaraku i huaj vlerësohet vetëm për kontributin e veçantë, të vlerësuar si të rëndësishëm e të spikatur në funksion të interesave të Republikës së Shqipërisë.

5. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


Start News

Reklama
Back to top button