
Administrata e presidentit Donald Trump ka bërë të ditur se do të rishikojë “green card”-at e dhëna për individët që kanë emigruar në SHBA nga 19 vende të caktuara, raporton BBC.
Kreu i Shërbimit të Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS), Joseph Edlow, deklaroi se presidenti e ka urdhëruar atë të kryejë “një rishikim të plotë dhe rigoroz të çdo green card-i për çdo të huaj nga çdo vend i konsideruar i shqetësimit”.
I pyetur nga BBC për listën e vendeve në fjalë, agjencia iu referua një proklamate të Shtëpisë së Bardhë nga muaji qershor, ku përfshiheshin Afganistani, Kuba, Haiti, Irani, Somalia dhe Venezuela.
Njoftimi u publikua pasi një shtetas afgan dyshohet se qëlloi dhe plagosi rëndë dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare në Uashington DC të mërkurën. I dyshuari, Rahmanullah Lakanwal, kishte ardhur në SHBA në vitin 2021 përmes një programi që u ofronte mbrojtje të veçantë emigracioni afganëve pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani.
Presidenti Trump deklaroi se incidenti thekson një kërcënim të madh për sigurinë kombëtare.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Edlow nuk e përmendi drejtpërdrejt sulmin, por theksoi: “Mbrojtja e këtij vendi dhe e popullit amerikan mbetet parësore, dhe qytetarët amerikanë nuk duhet të mbajnë koston e politikave të pakujdesshme të zhvendosjes së administratës së mëparshme”.
starnews.al