
Një burrë është dërguar me urgjencë në spital me djegie pasi një shpërthim ndodhi brenda një furgoni të parkuar në garazhin nëntokësor të një qendre tregtare në zonën Wimbledon të Londrës.
Sipas raportimit të gbnews.com, shpërthimi ndodhi mëngjesin e së hënës, duke shkaktuar panik dhe duke detyruar autoritetet të evakuojnë qendrën tregtare, ku në atë moment ndodheshin rreth 100 persona.
Shkaku i shpërthimit
Policia dhe zjarrfikësit deklaruan se shpërthimi u shkaktua nga materiale të ndezshme që furgoni transportonte, pasi çatia e mjetit, për arsye ende të paqarta, u përplas me tavanin e parkingut.
Fotografitë nga vendngjarja tregojnë furgonin pothuajse të shkatërruar, me xhama të thyer dhe pjesën e brendshme të ekspozuar. Sipas Policisë Metropolitane, drejtuesi i mjetit, një burrë rreth 60 vjeç, u plagos dhe u transportua menjëherë në spital.
Autoritetet bënë të ditur se incidenti është ende nën hetim dhe se nuk besohet të jetë i lidhur me terrorizmin. Një dëshmitar okular, i cili punonte pranë qendrës tregtare në momentin e shpërthimit, tha: “Ndjeva një valë të fuqishme goditëse që e bëri tokën të dridhej. Nuk ra asnjë alarm dhe më pas na kërkuan të largoheshim nga zona.”
Ndërkohë, deputeti lokal Paul Kohler, në një reagim në platformën X, përgëzoi autoritetet për ndërhyrjen e shpejtë dhe i uroi shërim të shpejtë të plagosurit.
starnews.al
