
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu ka bërë të ditur se operacioni për vendosjen e ligjshmërisë në fushën e ndërtimit, i nisur në fillim të nëntorit në zonën e Farkës, po vijon dhe rezultatet janë të prekshme.
“Në çdo kantier ku konstatohet shkelje, mesazhi është i qartë: askush nuk është mbi ligjin. As pronarët e vilave, pallateve apo komplekseve, as zaptuesit e zakonshëm dhe as më keq, inspektorë apo funksionarë që kanë abuzuar me detyrën,” u shpreh ministrja Koçiu.
Në vetëm një javë janë inspektuar 65 objekte, përfshirë villa dhe banesa kolektive, ndërsa janë prishur menjëherë 2.736 m² ndërtim pa leje. Gjithashtu, janë vendosur gjoba me vlerë totale 1 milionë euro, ndërsa për 18 persona, mes tyre 13 inspektorë, ka nisur procedimi penal.
“Operacioni do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Që çdo lek i investuar nga qytetarët të përkthehet në pronë me cilësinë, planimetrinë dhe standardet e premtuara, dhe çdo pëllëmbë e zaptuar të kthehet në shërbim të komunitetit,” deklaroi Koçiu.
Ky operacion është pjesë e një procesi të gjerë institucional për zbatimin e ligjit, rikthimin e besimit të qytetarëve tek shteti dhe garantimin e një zhvillimi të drejtë urban në gjithë vendin.
Start News
