
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka lëshuar një Urdhër për vendosjen e ndalimit të peshkimit në Liqenin e Ohrit, me qëllim mbrojtjen e faunës ujore gjatë periudhës së riprodhimit.
Urdhri, i firmosur nga Ministri Andis Salla, përcakton dy faza kryesore të ndalimit.
Mbrojtja e belushkës
Nga 1 Nëntori 2025 deri më 1 Mars 2026, ndalohet rreptësisht peshkimi i belushkës me çfarëdolloj mjeti dhe metode. Përveç gjuetisë, ndalohet edhe mbajtja në bord, tranzitimi në barkë dhe zbarkimi i qëllimtë i kësaj specie. Kjo masë synon të mbrojë plotësisht belushkën gjatë periudhës së saj të riprodhimit.
Ndalimi i përgjithshëm
Nga 1 Dhjetori 2025 deri më 1 Mars 2026, ndalohet peshkimi i të gjitha llojeve të peshqve në Liqenin e Ohrit.
I vetmi aktivitet i lejuar është gjuetia e cironkës (Alburnus alburnus alborella) me “trata të zallit (vlagë)”, por vetëm sipas zonave bregliqenore të përcaktuara nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit (OMP), Pogradec.
Urdhri është i qartë, çdo mjet gjuetie peshku i kapur nga organet e kontrollit gjatë kësaj periudhe do të sekuestrohet.
Inkubimi i vezëve të koranit
Një pjesë thelbësore e urdhrit i kushtohet mbrojtjes dhe shtimit të Koranit (Salmo letnica), specie unike e liqenit.
“Për periudhën nga 1 Janari 2026 deri më 1 Mars 2026, lejohet vetëm peshkimi i riprodhuesve të koranit për një qëllim specifik: grumbullimin e vezëve deri në 220 kg. Këto vezë do të shtrohen dhe trajtohen për inkubim në impiantet e Qendrës së Prodhimit të Rasateve të Koranit në fshatin Lin të Pogradecit.”, thuhet në Urdhërin e ministrit të Bujqësisë, Salla.
Për këtë aktivitet të rëndësishëm, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA) do të koordinojë punën me Qendrën e Rasateve, duke angazhuar dhe paguar 60 peshkatarë me përvojë, anëtarë të OMP-së Pogradec. Të gjitha shpenzimet për këtë proces, përfshirë pagesën e materialit biologjik (vezëve) dhe karburantit, do të mbulohen nga buxheti i DSHPA-së.
Zbatimi i këtij urdhri kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, duke përfshirë Drejtoritë e Ministrisë, OMP-në Pogradec, strukturat e qeverisjes vendore, Policinë, Policinë Tatimore dhe AKU-në Korçë.
Start News
