
Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka shpallur sot 10 vende vakante për pozicionin e Oficerit të Policisë Gjyqësore, në kuadër të përforcimit të strukturave të saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Institucionet ku ofrohen pozicionet:
Një oficer – Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, Policia e Shtetit
Një oficer – Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, Policia e Shtetit
Një oficer – Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetikë, Policia e Shtetit
Një oficer – Drejtoria e Antiterrorit, Policia e Shtetit
Një oficer – Departamenti i Kufirit dhe Migracionit
Një oficer – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore
Dy oficerë – Drejtoria e Hetimit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
Dy oficerë – Drejtoria e Hetimit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
Afati për dorëzimin e dokumenteve nga kandidatët është data 30 tetor 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, OPGJ ka për detyrë:
– Të veprojë si pikë kontakti/ndërlidhëse ndërmjet BKH-së dhe institucionit të origjinës (ose agjencive të tjera ligjzbatuese), duke siguruar shkëmbim të shpejtë e të sigurt informacioni dhe, kur lejohet me ligj, akses të kontrolluar në bazat e të dhënave të këtyre institucioneve. Të gjitha të dhënat i vihen në dispozicion prokurorit dhe hetuesit në formatin procedural të kërkuar.
– Të kërkojë dhe identifikojë autorët e veprave penale që hyjnë në juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme, duke përdorur çdo mjet të lejuar nga ligji.
-Të kryejë pa vonesë çdo veprim të urdhëruar ose të deleguar nga prokurori i posaçëm, nën drejtimin dhe kontrollin e tij, në bashkërendim të vazhdueshëm me hetuesin e caktuar të BKH.
– Të njoftojë pa vonesë prokurorin e çështjes dhe me lejen e këtij të fundit edhe hetuesin përkatës të BKH-së, për rezultatet e veprimeve procedurale të kryera prej tij.
– Të ndërmarrë veprimet procedurale të nevojshme për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore penale (p.sh. kontrolle, sekuestrime, masa sigurimi personale e pasurore), në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
– Të hartojë dhe administrojë aktet procedurale sipas kërkesave formale dhe afateve të përcaktuara në ligj, duke siguruar gjurmueshmëri të plotë dhe integritet të provave.
– Të marrë pjesë, sipas thirrjes së prokurorit, në takime pune dhe analiza të përbashkëta me hetuesin e çështjes dhe strukturat e tjera përkatëse, duke kontribuar në planifikimin dhe ritmin e veprimeve hetimore. Oficeri i Policisë Gjyqësore nuk ushtron rol drejtues mbi veprimtarinë hetimore/procedurale.
– Të përmbushë veprime hetimore të deleguara posaçërisht nga prokurori (p.sh. marrje deklarimesh/dëshmish, veprime të kërkimit e sekuestrimit, verifikime pranë institucioneve publike/privatëve), duke raportuar progres të rregullt.
– Të mbledhë, verifikojë dhe përpunojë të dhëna e informacion nga çdo burim i ligjshëm, në funksion të procedimit penal, duke respektuar legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe standardet përkatëse ndërkombëtare; materialet i përcillen pa vonesë prokurorit dhe hetuesit.
– Për informacionet paraprake (inteligjencë) të administruara, të informojë Zëvendësdrejtorin dhe Drejtorin e BKH-së për efekt koordinimi institucional, pa cenuar zinxhirin procedural të drejtimit nga prokurori i posaçëm.
– Të bashkëpunojë me organet shtetërore, agjencitë ligjzbatuese dhe institucionet e tjera publike/jo-publike, sipas ligjit, për sigurimin e informacionit, realizimin e veprimeve procedurale dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore.
– Të zbatojë rregullat e brendshme të disiplinës dhe të etikës të BKH dhe Prokurorisë së Posaçme. Të garantojë dhe ruajë sjellje korrekte në marrëdhëniet e punës dhe t’i përgjigjet me integritet kërkesave ligjore.
– Të respektojë ndalimin e publikimit të akteve procedurale dhe çdo informacioni që rrjedh prej tyre, si dhe kufizimet mbi komunikimet zyrtare, sipas legjislacionit në fuqi dhe urdhrave përkatës.
– Të përmbushë çdo detyrë tjetër të parashikuar nga aktet ligjore e nënligjore dhe të zbatojë objektivat/prioritetet strategjike të BKH-së dhe Prokurorisë së Posaçme.
Për gjithçka tjetër lidhur me dokumentacionin apo kërkesat e posaçme, lexo duke klikuar KËTU!
Start News