
Përfaqësues nga të gjithë fshatrat e Luznisë u mblodhën për të miratuar planin e punës, simbolet identifikuese dhe mënyrat e sigurimit të fondeve për veprimtarinë e ardhshme.
Dibër, 18 tetor 2025 — Përfaqësia “Luznia na Bashkon” zhvilloi sot një mbledhje të gjerë pune, ku morën pjesë përfaqësues nga të gjitha fshatrat e Luznisë. Takimi kishte në qendër diskutimin dhe miratimin e planit të punës të përgatitur nga grupi organizator, si dhe përcaktimin e disa nismave konkrete për bashkëpunim dhe ruajtje të identitetit krahinor.
Në këtë mbledhje u miratua propozimi që çdo vit, në periudhën 15–30 gusht, luznakët nga Dibra, Shqipëria dhe diaspora të mblidhen në një ditë feste të përbashkët, me qëllim forcimin e lidhjeve dhe komunikimit midis brezave.

“Kjo nismë nuk është vetëm një festë, por një mënyrë për të ruajtur kujtesën, përkatësinë dhe vlerat e Luznisë kudo ku ndodhemi,” – u theksua gjatë takimit nga përfaqësuesit e zonës
Vendime të rëndësishme për organizimin dhe transparencën financiare
Gjatë mbledhjes u miratua edhe simboli zyrtar i Luznisë, që do të përfaqësohet në formën e një steme rrethore, si dhe u vendos përgatitja e regjistrit të kryefamiljarëve me origjinë nga Luznia, brenda dhe jashtë vendit.
Në lidhje me aspektin financiar, përfaqësia vendosi ngritjen e një sistemi kontributesh vjetore, që do të përfshijë një kuotë për çdo familje pjesëmarrëse, si dhe donacione nga sipërmarrës e biznesmenë luznakë.
Të gjitha fondet do të kalojnë në një llogari zyrtare bankare, e cila do të hapet pas përfundimit të procedurave të regjistrimit ligjor. Çdo transaksion do të dokumentohet dhe do të publikohet në raportet e transparencës.
Nismë për ngritjen e obeliskut të Luznisë

Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte miratimi i projektit për ngritjen e një obelisku, që do të përfaqësojë bashkimin dhe identitetin historik të Luznisë. Ideja do të trajtohet më tej nga specialistë të artit dhe arkitekturës.
Ja dhe nje video ne youtube
Zgjedhjet në strukturat drejtuese
Në fund të takimit, përfaqësia zgjodhi drejtuesit e rinj të strukturave organizative:
Kryetar nderi: z. Beqir Mata
Nënkryetarë: z. Vebi Cani dhe z. Hamdi Manuka
Kryetar i Komisionit: z. Mensur Murrja, i cili do të propozojë në vijim nënkryetarët dhe komisionerët sipas fushave përkatëse.
U vendos që përfaqësia të rimblidhet në dhjetor 2025, për të raportuar mbi ecurinë e punës dhe për të përcaktuar objektivat e reja për vitin e ardhshëm.
Në përfundim, grupi organizator nënvizoi se kjo nismë ka karakter shoqëror dhe kulturor, me synim promovimin e vlerave të krahinës së Luznisë dhe forcimin e lidhjeve midis brezave, ndërsa do t’i kërkohet mbështetje edhe Bashkisë së Dibrës për zbatimin e projekteve të ardhshme.