Punëtori humb krahun në fabrikën e kromit në Krastë, procedohet administratori

Share

Ish-Fabrika e Pasurimit të Kromit, Krastë

Një aksident i rëndë u shënua këtë të enjte në Fabrikën e Pasurimit të Kromit në zonën e re në Krastë, ku punëtori 27-vjeçar, identifikuar si Ismail Kola, humbi krahun gjatë punës. Ai ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Dibrës njoftoi se për këtë ngjarje kishte proceduar penalisht administratorin e subjektit. “Specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori, në ngarkim të shtetasit B.L., 64 vjeç, banues në Burrel, me detyrë administrator i fabrikës së pasurimit të kromit në Bulqizë, pasi gjatë punës është aksidentuar shtetasi I.K., 27 vjeç.”

Sipas burimeve të BIRN, aksidenti ka ndodhur pasi punëtori i fabrikës ishte tërhequr nga pulexhat (rul transportues) e makinerisë së transportimit të mineralit, çka çoi në dëmtimin e rëndë dhe humbjen e krahut. Mësohet se 27-vjeçari ishte me detyrën e fadromistit. Fabrika ku ndodhi ngjarja kishte rifilluar punën vetëm pak ditë më parë, pas një ndërprerjeje pesëmujore të aktivitetit.

Ky nuk është rasti i parë kur kjo fabrikë bëhet objekt raportimi nga Policia e Shtetit. Në dhjetor 2021, Policia e Dibrës procedoi penalisht të njëjtin administrator, Bashkim Lala, pasi dyshohej se kishte ndotur mjedisin duke derdhur mbetje dhe ujëra të ndotura nga procesi i pasurimit të kromit në përroin e Batrës, në Martanesh.

Fabrika e pasurimit të kromit në zonën e re në Krastë ka nisur aktivitetin që në nëntor 2007 dhe operon si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me pronësi të përbashkët shqiptare dhe të huaj. Objekti i aktivitetit të saj është përpunimi dhe pasurimi i mineralit të kromit, duke përfshirë proceset e ndarjes së mineralit nga materiali inert dhe përgatitjen e tij për treg. Ky subjekt është një nga pikat kryesore të përpunimit të kromit në zonën e Martaneshit, i cili prej dekadash mbetet një nga rajonet me rezerva të konsiderueshme minerare në Shqipëri.

Ngjarja e fundit vjen në një periudhë me bilanc të rëndë në sektorin minerar. Vetëm gjatë vitit 2025, 4 minatorë kanë humbur jetën në zonën e Bulqizës dhe Klosit. Rasti i fundit ishte një javë më parë kur një 38-vjeçar u aksidentua për vdekje në një nga galeritë e kromit në Bulqizë. Referuar të dhënave zyrtare, sektori i minierave dhe karrierave përbën rreth 18% të aksidenteve të raportuara në punë për vitin 2024, duke e renditur atë ndër më të rrezikshmit në vend. Shumë punëtorë, të aksidentuar në sektorin minerar, kanë mbetur me paaftësi të pjesshme ose të përhershme për të vijuar punën.




bulqizaime.al

Reklama

Related Articles

Back to top button