Alarm për dronë në aeroportin e Mynihut, pezullohen dhjetëra fluturime, 3 mijë pasagjerë të bllokuar

Alarm i pazakontë në aeroportin e Mynihut mbrëmjen e së enjtes, pasi u raportuan dronë të panjohur mbi dhe rreth pistave.
Autoritetet u detyruan të mbyllin aeroportin për disa orë, duke ndikuar në qindra fluturime dhe mijëra pasagjerë, raporton Bilid.
Rreth orës 22:30 të mbrëmjes të së enjtes, trafiku ajror në aeroportin e Mynihut u ndërpre papritur. Shkak për këtë u bë shfaqja e disa dronëve të panjohur në hapësirën ajrore pranë dhe mbi territorin e aeroportit.
Sipas Policisë Federale Gjermane, dronët u panë fillimisht rreth një orë më parë në periferi të aeroportit. Pavarësisht hetimeve të menjëhershme, policia nuk arriti të identifikojë as pajisjet fluturuese dhe as pronarët e tyre.
Pak më vonë, rreth orës 22:30, dronët u shfaqën sërish, këtë herë duke fluturuar mbi pistat e aeroportit. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë Federale, Stefan Bayer, i cili theksoi se oficerët në vendngjarje e kishin verifikuar vizualisht praninë e dronëve. Megjithatë, për shkak të errësirës, nuk ishte e mundur të përcaktohej lloji apo madhësia e tyre.
Si pasojë e incidentit, autoritetet vendosën pezullimin e menjëhershëm të të gjitha fluturimeve. 17 fluturime nuk u lejuan të niseshin, ndërsa 15 avionë hyrës u devijuan drejt aeroporteve të tjera si Shtutgarti, Nurembergu, Vjena dhe Frankfurti.
Mbi 3,000 pasagjerë mbetën të bllokuar në ambientet e aeroportit, ku atyre iu ofruan ushqime të lehta, pije dhe shtretër kampingu për të kaluar natën.
Start News