FIFA ende në dilema për Botërorin 2030. Mbledhja në Zyrih nuk qartëson fatin e Izraelit

E ardhmja e futbollit botëror ishte temë diskutimi në takimin e zakonshëm të FIFA-s, mbajtur këtë të enjte në Zyrih. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, dhe zyrtarët më të lartë të organit drejtues të futbollit botëror zhvilluan takimin në selinë qendrore të FIFA-s në Zyrih, ku u diskutua për disa prej “projekteve” për dy Kupat e Botës së ardhshme.
Ndër propozimet që u diskutuan ishte ai i paraqitur nga federata e futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL), e cila kërkon zgjerimin e Kupës së Botës 2030 në 64 ekipe. Aktualisht, ky turne është planifikuar të mirëpresë 48 ekipe, siç do të ndodhë për herë të parë në edicionin e ardhshëm të vitit 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Megjithatë, një vendim zyrtar për këtë çështje nuk pritet të merret së shpejti, për shkak të shqetësimeve rreth cilësisë së garës dhe vështirësive logjistike.
Turneu i vitit 2030 do të jetë i veçantë, pasi do të përkojë me 100-vjetorin e Kupës së Botës së parë, të zhvilluar në Uruguai në vitin 1930. Për këtë arsye, tre vende të Amerikës së Jugut, Argjentina, Paraguai dhe Uruguai, do të organizojnë nga një ndeshje secili, si pjesë e një homazhi historik.
Pjesa tjetër e turneut do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok. Diskutimet e së enjtes përfshinë edhe çështje logjistike për Kupën e Botës 2026, e cila do të jetë më e madhja ndonjëherë në histori, duke përfshirë 48 ekipe dhe 104 ndeshje në total.
Ndërkohë, në media janë shtuar spekulimet se UEFA mund të shqyrtojë një votim për përjashtimin e Izraelit, por organizata evropiane nuk ka konfirmuar zyrtarisht nëse një propozim i tillë është paraqitur.
Takimi në Zyrih vjen në një kohë të rëndësishme për futbollin botëror, ndërsa FIFA përballet me sfida të mëdha për menaxhimin e një kalendari gjithnjë e më të ngarkuar dhe për sigurimin e një ekuilibri mes rritjes së sportit dhe ruajtjes së cilësisë së garës.
Start News