Aktualitet dhe Lajme

Zhdukja pa gjurmë e Daniel Shimës, çfarë deklaronte Arben Ahmetaj: Është kërcënuar për 43 milionë euro

Share

Ish-zv/drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, është zhdukur pa gjurmë ditën e sotme ndërsa ishin familjarët që denoncuan në Policinë e Tiranës humbjen e kontakteve me të afërmin e tyre. Nuk dihet ende nëse kemi të bëjmë me një rrëmbim apo një inskenim të ngjarjes ndërsa priten detaje nga policia.

Por ajo që vlen të kujtojmë është se një vit më parë, ish-kryeministri Arben Ahmetaj, në një intervistë nga arratia, foli për një përgjim ambiental të kapur nga SPAK për një tender me vlerë 43 milionë euro përmes AKSHI-t.

Asokohe, Arben Ahmetaj deklaroi se Daniel Shima është kërcënuar nga Kryeministri Edi Rama që të mbyllë gojën dhe të mos flasë për asgjë.

“AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha…”-deklaronte asokohe Arben Ahmetaj.

Daniel Shima ka mbajtur më herët postin e Zëvendësdrejtorit të AKSHI-t deri pak kohë më parë, por në momentin që drejtuesja e institucionit, Mirlinda Karçanaj u thirr në SPAK, ai u shkarkua.

Më 19 Mars 2024 Mirlinda Karçanaj u mor në pyetje në ambientet e SPAK, ndërsa menjëherë pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Daniel Shima u shkarkua.

Të vetmet të dhëna deri tani të konfirmuara janë se Daniel Shima nuk ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke iu referuar të dhënave të sistemit TIMS. Blutë e Tiranës ditën e sotme kanë raportuar vetëm që ishte nëna e Shimës që bëri denoncimin për humbjen e kontakteve me të birin.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button