GJKKO merr vendimin për kreun e KPP-së Jonaid Myzyrin

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur të vazhdojë zbatimin e masave të sigurimit personal ndaj Jonaid Myzyrit, i cili po hetohet për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Vendimi është dhënë nga gjyqtarja Etleva Deda më datë 4 korrik 2025, pas kërkesës së paraqitur më 2 korrik nga SPAK.
Sipas vendimit të gjykatës, Myzyri do të vijojë të jetë i pezulluar nga detyra, ndërsa ndaj tij vijon të jetë në fuqi edhe detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, çdo të hënë të parë të muajit, në orën 12:00.
Kreu i pezulluar i KPP, Jonaid Myzyri, është nën hetim për dyshimet se ka qenë i përfshirë në manipulimin e procedurave të prokurimit publik, së bashku me persona të tjerë, duke cenuar barazinë e konkurrencës në tenderë.
Jonaid Myzyri u mor i pandehur javën e kaluar për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK, Myzyri dhe shtatë zyrtarë të tjerë kanë favorizuar gjatë një procedure prokurimi një bashkim operatorësh, që kanë depozituar dokumente të falsifikuara.
Sipas SPAK, objekti i këtij hetimi ka qenë procedura e prokurimit me emërtimin: “Mirëmbajtje rutinë me përformancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.8 milioë lekë pa tvsh, e zhvilluar më datë 18 shtator të vitit 2020 nga ana e Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH.