Plagoset me Jet Ski turisti belg në Durrës, dërgohet në gjendje kritike te Trauma

Një turist belg është plagosur mbrëmjen e kësaj të diele në bregdetin e Shkëmbit të Kavajës, pasi është rrëzuar në det gjatë manovrave me mjetin lundrues Jet Ski.
Autoritetet policore raportojnë se bëhet fjalë për shtetasin belg H. K., 21 vjeç, i cili ndodhet i plagosur rëndë.
Fillimisht ai është dërguar në spitalin e Durrësit, por bluzat e bardha kanë vendosur ta dërgojnë me urgjencë tek spitali i Traumës në kryeqytet për mjekim më të specializuar, pasi ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Ndërkohë, Policia bën me dije se ka shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale pronarin e mjetit lundrues, shtetasin S. Xh.
NJOFTIMI
Rreth orës 20:00, shërbimi i Urgjencës së Spitalit të Durrësit ka njoftuar se ka shkuar për ndihmë mjekësore shtetasi belg H. K., 21 vjeç.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në spital dhe nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pranë bregdetit, ky shtetas dyshohet se gjatë manovrave ka humbur kontrollin mbi një mjet lundrues (Jet Ski) dhe ka rënë në ujë.
Si pasojë, ai ka pësuar dëmtime të rënda dhe nga Spitali Rajonal i Durrësit është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia ka shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale pronarin e mjetit lundrues, shtetasin S. Xh.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.